Rovena Stefa njihet si një këngëtare e guximshme, që nuk ka frikë të ekspozohet, apo të japë deklarata që hera herës mund të cenojnë dikë. Këngëtarja, së fundi e ka shfaqur këtë guxim nëpërmjet një seti fotografik, ku ka treguar gjithë erotizmin e saj, sensualitetin e femrës dhe forcën për t’i thënë botës se ajo është e pavarur dhe krenare për bukuritë që i ka dhuruar natyra. “Nëpërmjet këtij seti erotik dalin shumë ide, liria e femrës për të jetuar jetën, për të qenë e vetëdijshme për bukurinë dhe sensualitetin e saj. Një femër që ndihet e sigurt në bukurinë e saj dhe që nuk ka frikë ta ekspozojë atë, është gjithashtu sinonim i një femre që jeton në bazë të bindjeve të saj, forcës, guximit dhe punës së saj”, tregon Rovena në këtë intervistë për “Bluetooth”. Këngëtarja, na rrëfen gjithashtu edhe planet për projektet e ardhshme, raportin që ka me paratë dhe meshkujt.
Rovena, je këto ditë në vëmendjen e të gjithëve me një set fotografik erotik. Cili është mesazhi që ke dashur të japësh dhe qëllimi i këtyre fotove?
Po, në fakt ky set ka shkaktuar shumë zhurmë dhe nuk e kuptoj pse, sepse unë jam çdo herë në frekuencë me vetveten dhe me frymëzimin tim artistik. Çdo performancë e imja më vjen natyrshëm, kështu që habitem kur shkakton kaq shumë zhurmë. Si zakonisht, ideja është e imja dhe ekipit tim të ngushtë të punës. Ajo lindi spontanisht, nxitur pak nga data 8 mars, që është dita botërore e femrës, e cila në bazë ka protestën e femrës për të drejtat e saj. Këtu dalin shumë ide, liria e femrës për të jetuar jetën, për të qenë e vetëdijshme për bukurinë dhe sensualitetin e saj. Një femër që ndihet e sigurt në bukurinë e saj dhe që nuk ka frikë ta ekspozojë atë, është gjithashtu sinonim i një femre që jeton në bazë të bindjeve të saj, forcës, guximit dhe punës së saj. Kjo femër shfaq me trupin e saj të ekspozuar bukur, pavarësi e krenari.
Mjaft joshëse në foto. Komentet kanë qenë pozitive, apo ka pasur edhe kritika?
Po është krejt e natyrshme që në ditët e sotme, në këtë lum rrjetesh sociale, të shpërndahen në një kohë rekord fotot, videot tona. Sot ky është një fenomen global që në rastin tonë, kur ka të bëjë me punën tonë, është një fenomen mjaft pozitiv, por në disa raste keqpërdoret. Disa portale mendojnë se kanë të drejtë të përbaltin punën e një artisti duke shfrytëzuar rrjetin e tyre publik, duke harruar se ligji ndërkombëtar për të drejtat e njeriut dhe veçanërisht për personat publikë, funksionon shumë fort. E vërteta është se njerëzit dhe mediat janë në kërkim të lajmeve të bujshme dhe komentet e tyre ekstreme tërheqin vëmendjen. Prandaj puna jonë komentohet në forma nga më të ndryshmet, nganjëherë jo fort të pëlqyeshme.
Mendon se publiku shqiptar është gati të përqafojë këtë lloj “show”? U trembesh paragjykimeve?
Aty ku ka nevojë për ndryshime, arti jep një shtysë të madhe dhe sigurisht që terreni është i pashkelur e vështirësitë janë të prekshme, por kjo nuk na tremb aspak sepse aty ku ka sfida, aty ne gjejmë inspirim për të vazhduar përpara.
Veç fotove je mjaft aktive edhe në muzikën live, brenda edhe jashtë Shqipërisë. Si është të jesh për kaq shumë vite në formë?
Tashmë ka shumë kohë që gjendem pranë shqiptarëve në mbarë botën përmes koncerteve e mbrëmjeve të ndryshme dhe kjo për mua është tashmë pjesë e jetës time. Muzika është pasioni, por edhe profesioni im dhe jam mjaft e lumtur që një nga pasionet e mia është shndërruar në profesion. Jam mirënjohëse që nuk më është dashur të kem një profesion të cilin nuk e dëshiroj.
Ndërkohë je duke punuar për ndonjë videoklip të ri? Cili është projekti yt i radhës?
Shumë shpejt do të vij me një klip të ri, këto ditë po bëhet i gjithë projekti. Do të jetë një kthesë e madhe në muzikën time, nga ato kthesa që unë i preferoj t’i bëj herë pas here në karrierën time. Jemi duke punuar në studion e Gent Myftarajt, së shpejti do ta kemi në dorë projektin.
Trendi i kohës është bashkëpunimi me reperët. Planifikon të ndjekësh këtë rrugë në vazhdim?
Asnjëherë nuk nisem nga trendet. Bëj atë që më thotë zemra.
Është e vërtetë që i refuzon ftesat për spektakle në Shqipëri, apo ndonjë festival që të ftojnë?
Po, shpesh, por jo vetëm në Shqipëri, edhe në Kosovë e Maqedoni. Kjo, për arsye se në plan të parë kam performancën dhe këngën e pastaj të tjerat, shpërblimet, etj. Unë pres momentin e duhur.
A mendon se ka ardhur koha që këto evente dhe spektakle kur duan një artist duhet të paguajnë?
Po, sigurisht por, siç të tregova, ka gjëra të tjera që janë më të rëndësishme se pagesat. Kur një spektakël të kushtëzon sjelljen artistike, kur ata manipulojnë me artistët dhe i japin vëmendje e çmime miqve të tyre, e kur përpiqen të denigrojnë me qëllim dikë e të ngrenë dikë tjetër, për mua këto janë probleme thelbësore. Aty artisti shtypet dhe publiku e ndjen këtë dhe shtypet e dhunohet edhe ai bashkë me artistin.
Sa kushton Rovena si artiste?
Çmimet janë vetëm simbole të tregut që ne kemi. Ato nuk përfaqësojnë vlerat tonë reale. Unë kushtoj shumë më shumë.
Djemtë e Shqipërisë apo të Kosovës janë më seksi sipas teje?
Të dy.
Bashkëshorti yt duhet të ketë (apo jetë) patjetër….?
Zemër.
Femrat sot gjykohen si materialiste. Ti çfarë raporti ke me paratë?
Paranë e jap gjithmonë për të marrë diçka tjetër në shkëmbim.
Do pranoje për partner një djalë të varfër?
Pse jo? Po të ketë zemër të pasur.
BW