Vendndodhje të reja, të cilat dyshohet se janë varreza masive, do të hetohen si në Serbi, por edhe në Kosovë. Grupet e punës të komisioneve për të zhdukurit kanë shkëmbyer informacione për disa vendndodhje të mundshme, ndërsa kanë kërkuar bashkëpunim institucional.
“Komiteti ndërkombëtar është i shqetësuar për progresin, pasi vetëm 4 raste janë zgjidhur në vitin 2015, numri më i vogël që pas konflikteve”, tha Laurent Burkhalter, nga Komiteti i Kryqit të Kuq. Ibrahim Makolli, nga delegacioni kosovar, ka thënë se kanë kërkuar nga Serbia informacione nëse janë asgjësuar disa prej kufomave. Por pa dallim etnie, ata kërkojnë zgjidhjen e këtyre problemeve.
“Nuk po kërkojmë asgjë më tepër sesa që këto autoritete të na pajisin me informacione të mjaftueshme, të cilat jemi të bindur se brenda një periudhe të shkurtër kohore do të mund ta zgjidhnin fatin e shumicës së personave që sot nuk janë gjetur”, tha Ibrahim Makolli, nga delegacioni kosovar për të zhdukurit.
Veljko Odaloviq, përfaqësues i Serbisë, ka thënë se mund të ndihmojnë me informacione edhe institucionet ndërkombëtare që kanë vepruar në Kosovë, si para edhe pas luftës.
“Si delegacioni i Beogradit, ashtu dhe ai i Prishtinës punojnë në bazë të informacioneve. Ne kemi paraqitur disa çështje dhe një vend të ri. Delegacioni nga Prishtina ka pasur disa kërkesa dhe dy vende të reja, që do të hetohen”, tha Veljko Odaloviç, nga delegacioni serb për të zhdukurit, përcjell Top Channel. Një nga grupet e punës, që bashkëpunimin tentojnë ta vënë në nivel human, ka premtuar se nuk do ta ndalë punën e tij. Deri në fund të muajit do të ndodhë vazhdimi i punimeve në kërkimin e atyre që ngelen një plagë e madhe.