Kur të vesh në Gjirokastër këtë fundjavë kalo edhe nga Ambla, një punishte ëmbëlsirash në tunelet e ndërtuara në kohën e Enver Hoxhës. Pak kohë më pak ky tunel ishte i vjetër dhe nuk i tërhiqe turistët. Ndërsa sot përveç historisë së tunelit, gjeni edhe një histori suksesi që zanafillën e ka në kohën e pandemisë.
Në një bisedë me gazetaren Rudina Xhunga, sipërmarrësja e Amblës, Etleva tregon se si e ngriti këtë biznes ëmbëlsirash në kohën e kovidit dhe që sot tërheq gjithnjë e më shumë turistë.
“Vitin e kaluar ky tunel ishte një vend i pashfrytëzuar. Ishte një tunel që pikonte, ishte i vjetër dhe nuk ishte i këndshëm për syrin. Në kohën e Enverit ky tunel përdorej për të mbajtur ushqimet e pazarit, vezën, gjizën, djathin, për shkak të temperaturave konstante. Ne menduam që produktet tona Ambla nuk mund të shiteshin askund më mirë se këtu.
Më parë unë i shisja në internet, në dyqanet e pazarit. Kjo është një ide pandemie. Në kohën e pandemisë, kur të gjithë u mbyllën brenda, unë provova Amblën. U ngjita në tarracën e shtëpisë dhe rigjeta veten. Të gjithë turistët çuditen kur u them që çdo gjë është e bërë me dorë.”, tregon Etleva për gazetaren Xhunga./m.j