Alfred Dosku vdiq në spitalin Redhill, Surrey të Anglisë më 17 Nëntor të vitit të kaluar. Asokohe mediat e huaja raportuan se 38 vjeçari nga Librazhdi u gjet i varur me çarçafë në një dhomë të qendrës për emigrantë, ndërkohë që pritej deportimi i tij në Shqipëri.
Pas më shumë se 5 muajsh, BBC në një artikull të saj thotë se “familja e shqiptarit ka ende shumë pyetje pa përgjigjie për rastin e tij”.
Kushërira e të ndjerit, Ledisa Dosku thotë se familja e tij thjesht do të dijë ekzaktësisht çfarë ka ndodhur. “Ai ishte shumë i zgjuar, nuk e kuptoj si ka përfunduar në qendrën e emigracionit. Herën e fundit që foli me të vëllanë ishte mirë, ishte gati të kthehej. Të bashkohej me familjen”, tha ajo.
Mësohet se pas dyshimeve që familjarët kanë hedhur për mënyrën se si ai ndërroi jetë, Gjykata e Horsham Corner ka nisur hetimet. Edhe ekipi i kujdesit shëndetësor që priti Doskun kur ai mbërriti në spital, do të merren në pyetje.
Hetimi është planifikuar të mbyllet brenda dhjetorit 2024.
/a.r