Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të financojnë Shqipërinë me një fond prej 97 milionë dollarësh deri në vitin 2030. Marrëveshja ka në fokus forcimin e shtetit të së drejtës si dhe përmirësimin e rritjes ekonomike. Nënshkrimi i marrëveshjes u bë nga ministri i Financave, Ervin Mete dhe drejtoresha e USAID në Shqipëri.
Ministri i Financave tha se marrëveshja e ratifikuar fillimisht në fund të vitit 2013, ka ofruar mbështetje serioze për ndërmarrjen e reformave të rëndësishme në fusha si të drejtat e njeriut, qeverisja dhe zhvillimi ekonomik. Drejtoresha e USAID në Shqipëri theksoi se ky është një moment kyç, ndërkohë që Shqipëria ndërmerr hapat e radhës drejt integrimit euro-atlantik dhe anëtarësimit në BE.
Që nga viti 1992, USAID ka investuar mbi 500 milionë dollarë në mbështetje të pluralizimit politik ne vendin tonë, shoqërisë civile, qeverisjes vendore, sundimit të ligjit, sektorët e energjetikës dhe shëndetësisë, rritjes së qëndrueshme ekonomike, përfshirë zhvillimin e turizmit dhe mbështetjes së ndërmarrjeve të vogla./m.j