Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, i ka bërë thirrje opozitës që të vazhdojë pa kushte dhe paragjykime dialogun për reformën në drejtësi.
“Nuk ka asnjë lidhje mes reformës dhe mandateve të dy deputetëve socialistë”, u shpreh Vasili për ABC, ndërsa kritikoi atë që e cilësoi si obstruksionizëm të sëmurë.
Petrit Vasili nuk lë shteg për interpretime kur pyetet në lidhje me kushtëzimin që opozita i ka bërë reformës në drejtësi me çështjen e dy mandateve të socialistëve Suli dhe Leskaj.
Demokratët akuzojnë dy deputetët socialistë se kanë përfituar fonde publike në shkelje të ligjit dhe kërkojnë që mbi ta të vendosë Gjykata Kushtetuese.
Përballë refuzimit të mazhorancës, PD është tërhequr nga tryeza e dialogut për reformën në drejtësi, veprim që kreu i grupit parlamentar të LSI-së e cilëson si obstruksionizëm të sëmurë.
Por a do të ishte LSI e gatshme për një takim mes liderëve politikë, nëse puna e Komisionit të Drejtësisë do të mbetet e bllokuar?
Vasili u shpreh optimist se ekzistojnë ende të gjitha mundësitë që paketa me ndryshimet kushtetuese të reformës në drejtësi të miratohet nga Parlamenti, para se Brukseli të dërgojë në Tiranë eurokomisionerin për Zgjerim, Johanes Hahn, vizitë e parashikuar për në fund të marsit.