Rusia e ka përshkruar dënimin për gjenocid të ish-liderit serb të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, si “të politizuar”.
Më tej, zëvendësministri i jashtëm i Rusisë, Gennady Gatilov, në intervistën për agjencinë Interfax, që është publikur sot, e ka akuzuar Tribunalin Ndërkombëtar për Krime të Luftës në Hagë për anim.
Gatilov tha se ky tribunal nuk i ka parë “krimet nga liderët kosovarë dhe ushtria”.
“Ne konsiderojmë se njëanshmëria e tribunalit është e papranueshme”, tha Gatilov.
Radovan Karaxhiç, njëri nga ish-liderët më të lartë politikë që është dënuar nga Gjykata për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi, është shpallur fajtor për orkestrimin e mizorive të kryera nga serbët, gjatë luftës në Bosnjë në periudhën 1992-95, nga e cila janë vrarë afro 100 mijë njerëz.
Tribuanli i Hagës dje e ka dënuar Karaxhiqin me 40 vjet burg për gjenocid në Srebrenicë dhe krime kundër njerëzimit.