Rritja e rasteve me “Kollën e Mirë” do të ndryshojë skemën e vaksinimit në Shqipëria. Edhe dy doza shtesë kundër Pertusis do të hyjnë në kalendarin e detyruar të vaksinimit.
Komiteti i ekspertëve të vaksinimit ka rekomanduar futjen e dozave përforcuese në moshën 6 dhe 13 vjeç, krahas katër të tjerave që kryen në dy vitet e para të jetës.
“Duke qenë se ne përdorim në moshën parashkollore vaksinimin Difteri, Tetanoz, komiteti i ekspertëve ka sugjeruar që kjo vaksinë të jetë Difteri, Tetanoz, Pertus, duke përdorur në këtë rast Pertus a qelizor sepse Pertusi qelizor nuk duhet të përdoret mbi moshën 2 vjeç dhe as te gratë shtatzëna. Po ashtu, komiteti ka rekomanduar që të kryhet vaksinimi ndaj Pertusit edhe në moshën 13 vjec”, thotë Silva Bino, shefja për sëmundjet infektive në Institutin e Shëndetit Publik, njëherësh eksperte e Komitetit të Imunizimit, tregon diferencën mes vaksinës së Pertusis që kryehet në shtet dhe asaj që prindërit e blejnë privatisht për fëmijët.
“Ne në skemën bazë të vaksinimit përdorim vaksinën qelizore. Është e vërtetë që kjo vaksinë jep temperaturë 38-39 gradë ndaj shpeshherë prindërit përpiqen të kryejnë privatisht një vaksinë tjetër. Është e mirë dhe ajo vaksinë, por mbrojtjen e ka më të ulët. Është e mira që të gjithë fëmijët vaksinimin bazë ta kryejnë me vaksinën qelizore ndaj Pertusis. Kjo është dhe arsyeja pse ne kemi më pak raste me “Kollën e Mirë” krahasuar me vendet e tjera të rajonit, ku nuk aplikohet vaksina qelizore”.
Megjithatë, si për fëmijët që vaksinat e kalendarit të detyruar I kryejnë në shtet ashtu dhe për ata që i bëjnë privatisht, kalendarit të vaksinimit të detyruar i shtohen dy doza përforcuese ndaj “Kollës së Mirë”.
Kostoja financiare do të mbulohet nga qeveria dhe skema e re pritet të aplikohet së afërmi. 30 raste me “Kollën e Mirë” janë konfirmuar nga institute i Shëndetit Publik vetëm këtë vit. Por numri i të prekurve si te fëmijët ashtu dhe tek të rriturit mund të jetë më i lartë. Prekja nga “Kolla e Mirë” apo vaksinimi ndaj saj nuk sigurojnë imunitet të përhershëm, por shmangin format e rënda dhe vdekjet./A2CNN