Sektori i arsimit do të ketë mbështetjen më të madhe për sa i përket rritjes së pagave që do të vijojë gjatë këtij viti buxhetor nga Qeveria Shqiptare. Ministri i Financave, Ervin Mete, ka deklaruar sot gjatë një takimi mbi edukimin financiar të të rinjve në kuadër të Javës Globale të Parasë, se pagat e arsimtarëve në harkun e dy viteve rriten nga 35% deri në 60%.
“Me rritjen e pagave që do bëhet në qershor, sektori i arsimit merr mbështetjen më të madhe nga të gjithë sektorët e tjerë, me afro 110 mln euro që shkojnë vetëm për pagat në sistemin arsimor. Rritja kumulative vetëm në 2 vitet e fundit shkon nga 35% deri në 60% për mësuesit. Sigurisht që kjo përkthehet në një edukim më cilësor që është investim për ne në kapitalin njerëzor të të rinjve dhe të qytetarëve të ardhshëm nesër të Shqipërisë”, u shpreh ministri Mete.
Ai u ndal edhe në nismën më të re të qeverisë, atë të lehtësimit të tatimit mbi pagën për disa kategori, ku përfshihen të rinjtë që punësohen, si dhe prindërit e fëmijëve nën moshën 18 vjeç.
“Ajo që po diskutojmë dhe tani jemi në një moment të mirë ekonomik që ta përkthejmë edhe në rishpërndarje dhe mirëqenie të shtuar për qytetarët, është që të kemi dy lehtësime të targetuara për të rinjtë dhe fëmijët, që do të thotë, nëse një i ri deri në moshën 29 vjeç do të punësohet, ne do t’i lejojmë që të ketë zbritje nga detyrimi tatimor vetëm për shkak të moshës, në mënyrë që të nxisim punësimin e tyre, ashtu siç do të lejojmë zbritje të posaçme nga detyrimi tatimor për fëmijët në kujdestari nën moshën 18 vjeç, sepse sigurisht që dikush që merr të ardhura dhe ka 1, apo dy fëmijë në ngarkim, nuk është në të njëjtat pozita me dikë që i merr ato të ardhura dhe nuk ka fëmijë në ngarkim”, u shpreh më tej ministri.
Ai nxiti të rinjtë që të informohen më shumë në lidhje me financat, teksa tha se për këtë qëllim po punohet gjithashtu me Ministrinë e Arsimit, Bankën e Shqipërisë, AMF dhe me operatorët e sistemit financiar, si bankat, apo kompanitë e sigurimeve, për një Strategji Kombëtare të Edukimit Financiar./m.j