Një çift të moshuarish janë rrahur barbarisht në banesën e tyre si dhe janë grabitur nga dy persona të maskuar, por jo të armatosur, shkruan Gazeta Shqiptare. Agresorët i kanë lidhur dy pleqtë këmbë e duar me çarçaf, ndërsa u kanë zënë dhe gojën që të mos bërtisnin. Si pasojë e goditjeve me shkop, bashkëshortët Hazbi dhe Mynevere Kryemadhi, përkatësisht 80 dhe 76 vjeç kanë përfunduar të plagosur në Spitalin Rajonal të Durrësit. Burime nga Drejtoria e Policisë bënë me dije se ngjarja e rëndë ka ndodhur mesnatën e së mërkurës në fshatin Arapaj. Pas denoncimit të dy dëmtuarve, blutë kanë nisur hetimin për identifikimin dhe vënien në pranga të autorëve të krimit. Sipas hetuesve të çështjes, maskat kanë grabitur mbi 1 milion lekë të vjetra në ndërtesën 3-katëshe të familjes Kryemadhi. Në lidhje me këtë ngjarje, policia ka shoqëruar dhe marrë në pyetje 9 persona.
GRABITJA
Në mesnatë, dy persona të maskuar me çorape të zeza në kokë dhe doreza në duar kanë hyrë për të grabitur në vilën trekatëshe, ku jetojnë Hazbi dhe Mynevere Kryemadhi me origjinë nga Skrapari. Dy të moshuarit kanë dëgjuar zhurmë, ndaj kanë dalë nga dhoma e gjumit për të parë se çfarë po ndodhte. Ata janë përballur me dy persona të dobët në trup dhe me gjatësi rreth 170 cm. Menjëherë maskat u kanë kërkuar të zotëve të shtëpisë që t’u dorëzonin paratë që kishin në banesë, por dy të moshuarit u janë përgjigjur se nuk kanë. Pas refuzimit të bashkëshortëve, dy agresorët i kanë goditur me shkop në kokë dhe në trup, duke u kërkuar me ngulm t’u merrnin lekët.
Por, çifti ka rezistuar. Atëherë, grabitësit i kanë lidhur këmbë e duar dhe kanë vazhduar t’i torturojnë për më shumë se një orë. Pasi kanë kuptuar se dy pleqtë nuk do të flisnin, personat e maskuar kanë nisur të kërkojnë paratë. Mësohet se njëri nga agresorët ka ruajtur të moshuarit edhe pse këta ishin të lidhur, ndërsa tjetri ka gjetur dhe ka marrë në një sirtar një shumë prej 100 mijë lekësh të reja, ndërsa në një çantë dore një shumë prej 5 mijë lekësh të reja. Pasi kanë marrë paratë, ata i kanë lënë bashkëshortët të lidhur mbi krevat dhe janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Kanë qenë të afërmit e çiftit Kryemadhi që kanë sinjalizuar policinë për ngjarjen, Ndërsa Hazbi e Mynevere Kryemadhi janë dërguar në repartin e ortopedisë në spitalin e Durrësit. Sipas mjekëve të këtij spitali, dy të moshuarit janë paraqitur me fraktura të shumta në trup e në kokë.
RRËFIMI I 76-VJEÇARES
Me të marrë njoftimin për plagosjen e grabitjen në fshatin Arapaj, policia ka shkuar në vendngjarje dhe ka nisur hetimet. Blutë kanë marrë dëshmitë e të afërmve dhe fqinjëve të dy të moshuarve. Gjithashtu, policia ka marrë në pyetje dhe 76-vjeçaren Mynevere Kryemadhi, e cila ka treguar me detaje se si janë torturuar nga grabitësit. “Në dhomën ku fle mbaj një ndriçues të vogël. Dy personat e maskuar që na hynë në banesë, na pyetën se ku i keni lekët. Unë u përgjigja se nuk kemi lekë. Atëherë ata nisën të na godisnin me shkop prej druri. Më pas na lidhën me çarçaf dhe lecka të tjera këmbë e duar. Dhe gojën na e zunë me lecka që të mos bërtisnim. Gjithashtu, na mbuluan edhe me batanije. Ndërkohë, njëri na ruante, kurse tjetri nisi të kontrollonte nëpër sirtarë. Sapo gjeti lekët, ai i tha atij që na ruante: ‘Mbaruam punë’.
Ata ikën dhe na lanë të lidhur në krevat. Unë u rrotullova dhe ashtu e lidhur zbrita nga krevati dhe u tërhoqa zvarrë nëpër dhomë. Pasi lirova duart, gjeta një thikë dhe preva çarçafin që më kishin lidhur këmbët. Pastaj lirova dhe burrin që ishte i gjakosur mbi krevat dhe nuk lëvizte dot. Kërkova telefonat që kishim, por nuk i gjeta. Mora telefonin e shtëpisë, por ia kishin këputur kabllon. Atëherë dola nga dritarja e banesës, pasi dera ishte e mbyllur dhe shkova te shtëpia e kushëririt tonë Luftar Kajos, të cilit i tregova se çfarë kishte ndodhur. Ai njoftoi policinë, ndërsa unë dhe im shoq përfunduam në spital”, ka thënë Mynevere Kryemadhi gjatë marrjes në pyetje.
BW