Favorizimi që qeveria e atëhershme e Sali Berishës bëri për demontimin e municioneve në Gërdec nuk ka qenë vetëm përzgjedhja e kompanisë amerikane SAC, e lidhur me Shkëlzen Berishën, por dhe tek përcaktimi i çmimit qesharak të shitjes së fishekëve që duhej të çmontoheshin. Kjo gjë i ka shkaktuar shtetit një dëm financiar miliona dollarë. Për herë të parë ky fakt vërtetohet nga një ekspertizë financiare që SPAK depozitoi sot si provë shkresore në gjyqin ku i pandehur është Fatmir Mediu, ish ministri i Mbrojtjes i akuzuar për shpërdorim detyre lidhur me shpërthimin në Gërdec më 15 mars 2008.
Shqiptarja.com dhe Report Tv e disponon këtë akt ekspertimi ku konstatohet se çmimi i municioneve për demontimin është vendosur ai i ofruar nga kompania amerikane SAC, përfaqësues i të cilës ishte shoku për kokë i Shkëlzen Berishës, Rrahman Selmanllarin. Ndërsa Komisioni i Miratimit të Çmimeve nuk ka kryer asnjë llogaritje. Nëse do të bëhej një përllogaritje e saktë atëherë nga shitja e municioneve për qëllime demontimi shteti do të fitonte 8.6 mln dollarë, që në këtë rast kanë shkuar në xhepat e organizatorëve të kësaj masakre
“ Për sa i përket llogaritjes së çmimit të shitjes së municioneve, në aktin e ekspertimit ekonomiko financiar është arritur në përfundimin se, Komisioni i Miratimit të Çmimeve me vendimin nr.1 datë 10.04.2007 ka vendosur caktimin e çmimit të municioneve për demontim, për municionet e kërkuara nga SAC, duke iu referuar ofertës së çmimeve të ofruar nga shoqëria SAC inc dhe pa u kryer ndonjë llogaritje të çmimeve nga vetë komisioni.
Lidhur me municionet e kalibrit 8 mm (të urdhëruara për tu dorëzuar me urdhërin nr.1300 datë 07.08.2007) nuk është vendosur çmimi nga Komisioni i Miratimit të Çmimeve. Sipas aktit të ekspertimit, nëse për këto municione do të caktohej çmimi i saktë i tyre, diferenca e vlerës në total lidhur me këtë lloj municioni është në shumën 17,531,056.19 lekë, e cila përfaqëson vlerën e humbur nga shitja e këtij lloji municioni.
Për çmimet e miratuara nga Komisioni i Çmimeve me vendimin nr.1 datë 10.04.2007, në aktin e ekspertimit është arritur në përfundimin që, nëse çmimet do të ishin llogaritur në mënyrë të rregullt, ka një diferencë në total prej 834,283,584 lekë (8,690,454 USD), që përfaqëson vlerë të mungur në shitjen e municioneve për qëllime demontimi me çmimet e miratura” thuhet në akt ekspertim.
Jo vetëm kaq çmimet që u miratuan nga Komisioni i Miratimit të Çmimeve në nëntor 2007 nuk kanë qenë të njëjta me ato të përdorura nga po këto municione nga Uzina Mekanike Gramsh duke I shkaktuar dëm shtetit 78 mln lekë
“Edhe në lidhje me çmimet e miratuara nga Komisioni i Miratimit të Çmimeve për me vendimin nr.1 datë 19.11.2007, që lidhet për municionet e kategorizuara me vendimin nr.7 datë 19.11.2007 të Komisionit të Posaçëm të Kategorizimit, në aktin e ekspertimit është përcaktuar se komisioni nuk ka vepruar në përputhje me kërkesat e V.K.M nr.138 datë 14.03.2007 dhe urdhëri i Ministrit të Mbrojtjes me nr.417 datë 02.04.2007. Sipas çmimeve të llogaritura nga ekspertët vetëm për disa lloje shtime, duke krahasuar çmimet e përdorura për këto municione nga Uzina Mekanike Gramsh me ato të Komisionit të Çmimeve, vlera e llogaritur si dëm ekonomik është në total në masën 78,577,986 lekë”
Nuk mjaftohet me kaq
Trualli dhe ambientet e Ish Brigatës së Tankeve”, në Gërdec janë shfrytëzuar pa qira të cilat do të kishin vlerën e 8 mln lekëve.
“Për sa i përket shpenzimeve të qirasë për shfrytëzimin e ambienteve të “Ish Brigatës së Tankeve”, në Gërdec. Në aktin e ekspertimit është përcaktuar se sipas kontratës nr.1 datë 06.06.2007 është lidhur kontrata e qirasë midis shoqërisë Albademil dhe Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, për objektin godinë 66.5 m2 dhe sipërfaqe prej 200 m2. Ka rezultuar se ka mbetur pa u likujduar qiraja sipas kontratave për periudhën janar-15.03.2007 ne lerën 67,957 lekë, të cilës duke i shtuar edhe kamatvonesat shkon në shumën 81,276 lekë.
Sipas aktit të ekspertimit për periudhën nga data 01.01.2008-15.03.2008 janë përdorum nga shoqëria Albademil sh.p.k sipërfaqe trualli dhe objekti të ndodhur në “Ish Brigatën e ankeve”, në Gërdec, të cilat do të kishin vlerën e qirasë prej 8,222,679 lekë” thuhet në akt ekspertimin ekonomiko financiar që u depozitua sot si provë nga SPAK në GJKKO./shqiptarja.com