Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla dhe nga kandidati i mazhorancës për bashkinë e Tiranës Erion Veliaj, kanë prezantuar dy projekte që kanë të bëjnë me ndërtimin e parkut olimpik dhe kopshtin zoologjik.
Në fjalën e tij Kryeministri Rama theksoi se ashtu si kopshti zoologjik i kryeqytetit edhe sporti ishte lënë në harresë. Rama tha se gjatë kësaj kohe bashkia i ka trajtuar sportistët si ujku i kopshtit zoologjik.
“Gjetëm një situatë si te kopshti zoologjik për sportin. Siç ata mbajnë tre pula dhe i vënë emrin galina vulgari jeton katër vjet. I kemi trajtuar sportistët elitar njëlloj si ujku i kopshtit zoologjik. Nuk e di me çfarë e ushqejnë ujkun nuk e di nëse i japin mish përditë. Kur i bënë luanët të hanin karota nuk është çudi që ta bëjnë ujkun të hajë bar këta. Kombinimi i këtij projekti me projektin e kopshtit zoologjik dhe parkut të Tiranës që për ne nuk është thjesht parku i liqenit por parku i integruar. Kemi bërë një konkurs për gjithë parkun e liqenit artificial. do integrojmë kopshtin zoologjik me kopshtin botanik” u shpreh Rama.
Ai premtoi se krijimi i Parkut Olimpik do të ofrojë ambiente dinjitoze për të gjitha kategoritë e sportit. Më tej kryeministri theksoi se në këtë kompleks të gjitha federatat shumsportëshe do kenë hapësirën e tyre. Rama tha se për të arritur këtë rezultat duhet kontributi i të gjithëve, ndërsa theksoi se ‘në këtë proces na duhen të duhen të gjithë. Na duhet dhe Halimi.’
Kryeministri Rama i bëri thirrje edhe një herë grave dhe vajzave në kryeqytet që me votën e 21 qershorit të bëjnë një rrugë e dy punë, të fitojnë një kryetar bashkie që duhet të jetë Erion Veliaj dhe një gjinekolog, Halim Kosova.