Një këshilltar i lartë ushtarak iranian ka paralajmëruar Izraelin të dielën se asnjëra prej ambasadave të tij nuk janë më të sigurta, pas sulmit të javës së kaluar në Damask për të cilin u fajësua Izraeli.
Tensionet rajonale janë rritur duke kërcënuar zgjerimin e konfliktit në Lindjen e Mesme, teksa lufta mes Izraelit dhe Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – hyri në muajin e shtatë të dielën.
Komentet e gjeneralit Rahim Safavi, i cili është këshilltar ushtarak i liderit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, lënë të kuptohet se Irani do t’i përgjigjet me të njëjtën monedhë sulmit ndaj Ambasadës iraniane në Siri më 1 prill, ku u vranë dy gjeneralë iranianë.
Izrael – sipas praktikës së vet të zakonshme – nuk e ka komentuar sulmin në Damask.
“Asnjëra prej atyre ambasadave të regjimit [Izraelit] nuk janë më të sigurta”, tha Safavi, raportoi agjencia iraniane e lajmeve, Tasnim.
Ai i bëri këto komente gjatë një ceremonie në Teheran për gjeneralët e vrarë në sulmin që e bëri rrafsh me tokë ndërtesën e konsullatës iraniane.
Ndërkohë, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se Izraeli është i përgatitur për çfarëdo përgjigje.
“Kushdo që na dëmton, apo synon të na dëmtojë, do ta dëmtojë veten”, tha ai gjatë një takimi të kabinetit qeveritar izraelit.
CBS News raportoi më 5 prill se inteligjenca amerikane ka lënë të kuptohet se Teherani është duke planifikuar një sulm që do të përfshijë dronë Shahed dhe raketa lundruese.
Nuk dihet caku e as koha e sulmit të mundshëm, por goditja e një ndërtese diplomatike izraelite do të ishte përgjigje proporcionale, thuhet në raport.
Shtetet e Bashkuara e kanë paralajmëruar të shtunën Iranin të mos i sulmojë trupat dhe bazat amerikane në Lindjen e Mesme./REL
Me fjale te kota mundesh te vrasish boten por ne te vertete e din mere se nuk e ke fuqine ndaj Izraelit, mos shitni peralla.