Alba Malltezi/
Për shumë, Klodeta Dibra është kampionia e basketbollit të ekipit të “17 Nëntorit” në vitet ’80. Për mua është edhe profesoresha ime e italishtes në Universitet. Nuk ishte kollaj të futeshe në orën e Klodit: serioze, me një italishte perfekte edhe në theks, kërkuese. Ora e saj në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja nuk ishte vetëm një mësim i thjeshtë: ishte një dëshirë e madhe për të dëgjuar dhe për të kuptuar. Në mbrojtjen time të diplomës rreth italianizmave në gjuhën shqipe, përballë shefes së katedrës së italishtes Klodeta Dibra, arrita të merrja 9. Mund të jetë një nga nëntat që më ka shijuar më shumë dhe kjo e ka një përse: Ishin vitet kur pedagogët ishin vërtetë pedagogë dhe kur mësimet, kulturën, të marra si pilula prej tyre, i kuptuam, shijuam e zbatuam më pas kur dolëm në jetë.
Të më ndjejnë studentët e të gjitha fakulteteve të tjera të Universitetit të Tiranës, por tek Gjuhët e Huaja, edhe në kohë diktature kishte një tjetër frymëmarrje… Ndoshta sepse mësonim për Danten, Leopardin, Sciascia-n, Pirandello-n…ndoshta, sepse profesorët dhe padagogët tanë, që nga Qemal Xhomo, deri te Klodeta Dibra, bashkë me gjuhën e letërsinë, përmes librave, na kaluan në shpirt, (edhe vetëm me ekzistencën e tyre, me përgatitjen e tyre, me pasionin e tyre), edhe mendjen e hapur, mirësjelljen, përkushtimin dhe dashurinë për të bukurën, për kulturën, për punën.
Sot Klodeta Dibra nis garën për Rektoratin e Universitetit të Tiranës. Një garë që e mendoj të jetë e vështirë. Universiteti publik në gjithë këto vite nuk ka dhënë më të mirën që mund të japë për shoqërinë shqiptare. Siç thotë dhe vetë profesoresha ime: “Në vend që të ishte pararojë e mendimit intelektual të Shqipërisë, ashtu siç ishte në fillim të viteve ’90, sot Universiteti publik lëngon i kapur nga interesa të vogla meskine”.
Uroj që gara për kreun e Rektoratit të nisë e barabartë dhe e drejtë, por ajo që unë dëshiroj më shumë, është që këtë garë ta fitojë Klodeta Dibra. Kam njohur punën e saj, njoh kulturën dhe vizionin e një intelektualeje, e një basketbollisteje, e një gruaje që do të ndryshonte historinë e Universitetit të Tiranës.
Shqiptarja.com