Me pjesëmarjen e korit të shkollës “Prenk Jakova”, Shkodër, përgatitur nga Gjon Shllaku dhe aktori Mirush Kabashi, Orkestra Simfonike e Radiotelevizionit Shqiptar, do të përkujtojë koncertin e parë shqiptar për violinë e njohur si “Baladë për violinë”, të kompozitorit Pjetër Gaci me një koncert.
Jo vetëm kjo baladë por edhe shumë pjesë të tjera, kontribute të pazëvendësueshme të kompozitorit shkodran në historinë e muzikës shqiptare, do të interpretohen në koncertin e të premtes, ora 19.00 në sallën e Universitetit të Arteve në Tiranë
Koncerti i ideuar për tu ngjitur në skenë, dirigjohet nga Gridi Kraja i cili evidenton faktin se kompozitorët shqiptarë duhet të jenë pjesë e repertorit të përhershëm të orkestrave.
Koncerti përfshin në program interpretimin e disa prej arieve më përfaqësuese të kompozitorit Pjetër Gaci si aria e Lekës nga opera Toka Jone interpretuar nga Armaldo Kllogjeri, aria e Lokes nga e njëjta opera interpretuar nga sopranoja Etleva Golemi, apo e famshmja “Për ty atdhe” intepretuar nga baritoni Ylber Gjini.