Kryetari i PD-së, Lulzim Basha deklaroi në emisionin ‘3D nga Alban Dudushi’ në RTSH se “Rithemelimi” ka zero shanse për të fituar nëpërmjet një procesi të rregullt ligjor, vulën dhe logon zyrtare të PD-së.
Sipas tij, nëse “Trekëndëshi i Bermudës” vendos të deformojë procesin dhe të fus në “thes gjyqtarët”, në këtë rast ky është problem i prokurorisë dhe i partnerëve strategjik të PD-së.
“Në politikë disa gjëra janë të paparashikueshme. Ne u nisëm për të qeverisur vendin, u përpoqëm të krijojmë një sinfoni të plotë. Gjërat nuk funksionuan. Përpjekja për tu bërë deputetë me listën e Berishës dhe me logon e Metës është tërësisht e gabuar. Ata duhet ti bëjnë llogaritë me PD dhe opozitën shqiptare. Nëse zbatohet ligji, PD-ja që drejtoj është PD-ja zyrtare. Vendimi i Gjykatës së Lartë është mjaft i qartë dhe ka përcaktuar kufijtë dhe nuk lë asnjë fije dyshimi për atë që është realitet ligjor. “Rithemelimi” ka zero shanse në një proces korrekt ligjor të marrë vulën dhe logon zyrtare të PD-së. Nëse “Trekëndëshi i Bermudës” “fut në thes gjyqtarët”, kjo është tjetër gjë. Është çështje për prokurorinë dhe partnerët strategjik.”, tha Basha.
/a.r