Hekurudha shqiptare do të ndahet në dy shoqëri. Administruesin e Infrastrukturës dhe Sipërmarrësi Hekurudhor. Propozimi vjen nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë me anë të projektligjit “Për ndarjen e shoqërisë “Hekurudha Shqiptare” Sh.a.”
“Në mënyrë të posaçme do të mundësonte ligjërisht ndarjen e menaxhimit nga operimi në sektorin hekurudhor, duke krijuar subjektet vepruese në fushën e transportit hekurudhor, si Administratori i Infrastrukturës Hekurudhore dhe Sipërmarrësit Hekurudhor.”
Ky nuk është propozimi i parë për ndarjen e shoqërisë “Hekurudha Shqiptare”. Madje në 2021-shin propozohej kalimi i saj në katër pjesë. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë tregon edhe arsyet se pse nisma nuk rezultoi e suksesshme.
“Që nga miratimi dhe hyrja në fuqi e ligjit nr. 90/2021, akoma nuk është realizuar ndarja e parashikuar në katër shoqëri pritëse, Sh.A. për Infrastrukturën Hekurudhore, për Transportin e Udhëtarëve, për Transportin e Mallrave dhe për Mirëmbajtjen e Mjeteve Lëvizëse, ku si arsye kryesore qëndrojnë kostot për krijimin e katër shoqërive, mungesa e burimeve njerëzore dhe të ekspertëve për secilën prej tyre dhe funksionimin dhe menaxhimin e tyre në praktikë.”
Në relacionin e projektligjit të hedhur për konsultim publik thuhet se ky ndryshim bëhet në kushtet kur hekurudha shqiptare po shihet si një sektor strategjik zhvillimi dhe Bashkimi Evropian kërkon rregullimin në përputhje me legjislacionin e saj, me qëllim nxitjen investimeve të huaja dhe projekteve të financuara nga “Unioni”./m.j