Dy persona kanë rënë në pranga në Vlorë, pasi i morën me forcë një shtetasi, një shumë parash dhe karta bankare, në rrugë.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Vlorë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, pas njoftimit të marrë se dy shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i kishin marrë me forcë, një shumë parash dhe disa karta banke, një shtetasi, në rrugë, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e tyre.
Në këtë kuadër është finalizuar operacioni policor i koduar “Storm 15”, si rezultat i të cilit u bë identifikimi, kapja dhe ndalimi i 2 autorëve të dyshuar, shtetasve:
S. D., 49 vjeç dhe D. L., 36 vjeç, të dy banues në Vlorë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 02.04.2024, rreth orës 23:00, në afërsi të vendit të quajtur “Tregu i Orizit”, i kanë zënë rrugën me automjet, shtetasit A. T., dhe më pas i kanë marrë me forcë atij, një shumë parash dhe disa karta bankare”, njofton policia.
Gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin e shtetasit D. L., shërbimet e Policisë gjetën disa doza lënde të dyshuar narkotike cannabis, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me sendet e vjedhura dhe automjetin që autorët e dyshuar kanë përdorur për të kryer krimin.
/a.r