Eksperti i sigurisë, Ervin Karamuço thotë se komisioni për dezinformimin duhet të përfshihet në legjislacion dhe në Kodin Zgjedhor. Në emisionin “Real Story” në ABC News, Karamuço tha se nuk duhet të funksionojë thjesht si një komision i posaçëm por të jetë pranë atij të sigurisë.
Siç shtoi ai, me atributet ndërkombëtare që ka marrë vendi, do të jetë gjithmonë e më shumë nën radarin e influencave të huaja.
“Përpara disa muajsh kemi miratuar strategjinë e re të sigurisë kombëtare, ku nga dy apo tre paragrafë, kemi shtuar një kre të plotë në lidhje me luftën hibride. Kemi përmenduar të gjithë elementet që mund të cënohen dhe se si do të mbrohen këto, ku është futur edhe jeta politike e vendit. Kjo është e rëndësishme që të materializohet në legjislacion dhe në Kodin Zgjedhor sepse influenca malinje do të vijë duke u përforcuar në jetën politike të vendit në prag të zgjedhjeve. E pashë pak edhe afatin e komisionit të posacëm, i cili nuk mbërrinte deri te fushata zgjedhore.
Ne duhet ta kemi permanent dhe jo ad hoc. Duhet ta kemi pranë komisionit të sigurisë jo një komision të posacëm sepse do të kërkojë monitorim parlamentar të vazhdueshëm. Sa herë që do te kemi zgjedhje vendore dhe qendrore, dhe një ngjarje që mund të kemi pakënaqësira me fqinjët tanë. Kosto të madhe kemi marrë edhe nga kryesimi i Këshillit të Sigurisë të OKB. Shumë gjëra që nuk i kemi pasur në radar, por si parlament e shoqëri, s’i kemi pasur në radar se çfarë mund të na vinte në këmbim të gjithë këtij kontributi ndërkombëtar.
Kostot pritet të jenë më të mëdha. Fakti që kërkohet edhe një përfaqëssues i DASH, do të thotë se po e shikojnë në rrafshin politik dhe jo të sigurisë. Do të ketë influence të fortë edhe në zgjedhjet e vitit tjetër.”, tha Karamuço.