Dy persona janë vënë në pranga pas aksidentit të frikshëm që ndodhi të martën në Këlcyrë ku humbën jetën shoferi i makinës tip “Benz” dhe shtatë emigrantë të paligjshëm.
Gazetari Besar Bajraktaraj ka mësuar se Agustin Gjeta dhe Ramazan Dekovi janë arrestuar për ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.
Arrestimi i tyre është bërë në Shkodër për llogari të policisë së Gjirokastrës. Sipas burimeve, këta persona kanë bashkëpunuar me shoferin Edison Bregaj, vetëm 24 vjeç, që gjendej në timonin e makinës së shkatërruar.
Sipas burimeve të gazetarit Bajraktaraj rezulton se emigrantët e paligjshëm ishin nga Pakistani. Një pjesë e tyre janë identifikuar nga letërnjoftimet që u janë gjetur. Të tjerët pritet t’u merren gjurmët e gishtërinjve apo analizat e ADN-së.
Ngjarja e rëndë u regjistrua në orët e para të së martës. Bregaj tentoi të largohej me shpejtësi pasi pa një patrullë policie. Por në afërsi të fshatit Kuqar, për shkak të shpejtësisë së madhe, ai “fluturoi” rreth 500 metra dhe ra në anë të lumit Vjosa.
/a.r