Pas 9 vitesh martesë, Rolandi e ka gjetur veten të braktisur nga bashkëshortja. Ai emigroi në Gjermani për 2 vite me qëllimin për t’i siguruar asaj dhe djalit një jetë më të mirë, por kur u kthye ajo u zhduk duke marrë me vete edhe të birin.
Rolandi tregoi për “Stop” në Tv Klan se ka 6 muaj pa e takuar të voglin. Fëmija aktualisht rri te gjyshërit dhe ish-vjehrra e pranoi këtë në një video-regjistrim. Ajo konfirmoi se vajza e saj nuk e takon shpesh të birin. Deklaratat e gjyshes janë kontradiktore me fjalët e nënës së djalit dhe tezes së tij.
Palët nuk i janë drejtuar gjykatës për të përcaktuar kujdestarinë apo oraret e takimit. Edhe pse nuk ka vendim gjykate, sërish nëna e djalit mendon se babai nuk ka të drejtë ta mbajë apo ta takojë pa lejen e saj.
Më në fund, kur pas 6 muajsh Rolandi arrin të takojë të birin, ndeshet me kërcënimin e bashkëshortes që i kërkon të kthejë djalin se do ta denoncojë në polici.
Nëna e djalit: Të shkosh dhe të çosh fëmijën tim tek shtëpia, po të them dhe njëherë!
Babai: A jam babai?
Nëna e djalit: Mos më detyro, të të sjell policinë! Mos më detyro të merrem me gjykatë dhe ta takosh njëherë në dy muaj! Të çosh fëmijën brenda orës 6:30! Do bëj denoncim për vjedhje të fëmijës.
Babai: Po jam babai i fëmijës unë.
Nëna e djalit: E ke marrë pa lejen time. E ke marrë pa miratimin tim dhe unë kam të drejtë të bëj denoncim.
Më herët, babai i djalit mori leje për të takuar të birin.
Babai: Të mora të të pyes a e bëre gati djalin, a fole me Elën?
Gjyshja e djalit: Fola me Elën. Për ta takuar tha, ta takojë sa herë të dojë, se është fëmija i vet.
Në vjim të bisedës telefonike me nënën e djalit, Rolandi i kërkon sërish të takojë të birin. Gruaja i thotë se nuk ka dërguar gjë për djalin, edhe pse në fakt Rolandi ka kontribuar me 50 mijë euro për të dy.
Babai: Kam 6 muaj, që s’e kam parë djalin.
Nëna e djalit: Ore nuk më intereson fare sa ke pa e parë ti! Ti ma ke hequr fëmijën prej kopshtit.
Babai: Po ku je ti, që s’kemi një urë komunikimi, se kemi një fëmijë në mes, dua ta di.
Nëna e djalit: Nëse do komunikim, bliji telefon fëmijës dhe fol me fëmijën! Fëmija është mjaft i zgjuar dhe mjaft i rritur, të të marrë në telefon. Ke kontribuar gjë për fëmijën ti?
Babai: Mbi 50 mijë euro kam kontribuar.
Nëna e djalit: Mos përmend çfarë më ke dërguar mua! Për fëmijën, po flas, për fëmijën.
Babai: Për fëmijën tim, vazhdimisht.
Nëna: Kur? Ai fëmija nuk ha? Nuk sëmuret ndonjëherë? Ai fëmija as nuk vishet?
/a.r