Debate kanë shoqëruar mbledhjen e sotme të komisionit hetimor parlamentar për rrjedhjen e të dhënave nga sistemi TIMS.
Kryetari i këtij komisioni Ervin Salianji gjatë fjalës së tij tha se në TIMS është bërë një ndërhyrje që i shërben grupeve kriminale, duke shtuar se dëshmitarët do t’i gjejnë dhe ata nuk do t’i shpëtojnë dot përgjegjësisë.
Më tej ai u shpreh se “do të shohin spektakël të zi”, pasi sipas tij kjo është një ngjarje e keqe për vendin.
“Të gjithë personat thirrur janë persona që kanë lidhje me ngjarjet. Nuk e di pse përmendja e emrave ju shqetësoi, secili prej tyre do të përgjigjet për shqetësimet që ne kemi. Një gjë ju them për aq sa do lejohemi, por edhe nëse nuk lejohemi ne do ti gjejmë ata do ti kapim ata para publikut dhe do t’i çojmë aty ku e kanë vendin për aq sa na takon ne.
Përgjegjësitë e kësaj situata nuk do shpëtojnë, kanë bërë një ndërhyrje që i shërben grupeve kriminale. Këtu do jemi dhe do ti dëgjoni si janë të përfshirë. Do të shikoni, nuk dua të them spektakël, sepse është spektakël i zi në fakt, është një ngjarje e keqe për Shqipërinë, por do shikoni përfshirjen deri në çfarë niveli ka ndodhur në këtë vend”, tha Salianji.
Ndërkohë i është përgjigjur nënkryetari i Komisionit, socialisti Toni Gogu, duke i thënë se “spektakël bëhet në Big Brother” dhe se Parlament zbatohet ligji.
“Sesi gushti i 2023 lidhet me humbjen tuaj spektakolare, dhe këtu e vetmja gjë spektakolare është humbja juaj dhe gjithë çfarë ka ndodhur më pas… Po ndryshe nga ju unë nuk vë gishtin, por them po të thërrasim dëshmitarë për të kuptuar 2 gushtin. Ne nuk jemi këtu për të bërë spektakël, spektakël bëhet në ‘Big Brother’, në Parlament zbatohet ligji deri sa ne të mërzitemi”, tha ai./m.j