Humbjen historike të presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, në zgjedhjet lokale, Sali Berisha ia atribuon pjesërisht edhe miqësisë së Erdogan me Edi Ramën.
Në një reagim të bërë në rrjetet sociale, Berisha, shprehet se me humbjen në Stamboll dhe Bursë, lideri turk pagoi për “mbështetjen që i ka dhënë gjatë këtyre viteve kreut të qeverisë, Rama.”
Berisha e ka uruar po ashtu opozitën turke për fitoren duke e vënë në dijeni se grupi që ai udhëheq mbetet i hapur për bashkëpunim.
“Turqia po ndryshon! Opozita fiton zgjedhjet. Të dashur miq, Opozita turke e udhëhequr nga Partia Republikane Popullore fitoi zgjedhjet lokale në Turqi.
Presidenti Erdogan ka pranuar humbjen dhe vlerëson fitoren e opozitës si pikë kthese në historinë e Turqisë.
Qëndrime autoritare, afinitet i tepruar me Rusinë, braktisja e trashëgimisë kemaliste dhe ndërhyrjet e tij dhe shtetit në çështjet e fesë, u ndëshkuan nga zgjedhësit turq në këto zgjedhje.
Shtoj këtu gjithashtu se humbja në Stamboll dhe Bursë, qytete me prezencë të fuqishme shqiptare, dëshmon se Erdogan pagoi gjithashtu mbështetjen obskure dhe aprincipiale personale që ai i ka dhënë këto vite Edi Ramës, këtij armiku të vërtetë të kombit shqiptar, i cili me narkshtetin që ndërtoi, largoi nga Shqipëria 1/3 e shqiptarëve.
Me këtë rast Partia Demokratike uron përzemërsisht fitoren e opozitës turke në këto zgjedhje dhe mbetet e hapur të bashkëpunoj me udhëheqjen opozitare në interesin më të mirë për një të ardhme në paqe e demokraci të dy popujve dhe dy vendeve tona”, shkruan Berisha./m.j