Për herë të parë në karrierën e tij politike nuk mbajti një fjalim fitoreje. Këtë herë nuk humbi vetëm Stambollin, por edhe shumë bastione të partisë së tij AKP, e cila u rendit për herë të parë forcë e dytë politike në rang vendi. Megjithatë në fjalën e tij para përkrahësve, Recep Tayyip Erdogan nuk e përmendi fjalën humbje, ndërsa u shpreh se e pranon vendimin e popullit turk.
“Ashtu siç kemi bërë gjithmonë ne e respektojmë vendimin që mori me votë populli ynë. Pavarësisht rezultatit, i gjithë procesi ishte një tregues demokracie. Prej 22 vitesh jemi në pushtet dhe sërish këtu do të jemi. Bashkë me ju do ta vijojmë këtë rrugë që kemi nisur”.
Paralajmëroi një analizë të thelluar brenda partisë, ndërsa u parapriu thirrjeve të mundshme për zgjedhje të parakohshme presidenciale.
Ndërkohë kandidatët e opozitës shpallën fitoren në bashkitë e mëdha të vendit ndërsa përkrahësit e partisë republikane popullore vijuan festën në rrugët e qyteteve deri në orët e para të mëngjesit. Forca më e madhe opozitare arriti që të fitonte qytetet e mëdha si Stambolli, Ankaraja dhe Izmiri, por edhe në zona të tjera të vendit, përfshirë edhe bastione të partisë së Erdogan.
/a.r