Ndryshimet e vazhdueshme në strukturën e Prokurorisë gjatë mandatit të kryeprokurorit Adriatik Llalla dështuan të japin rezultatet e premtuara me anë të cilave ato u justifikuan.
Më 10 dhjetor të vitit 2012, pasi ishte dekretuar nga Presidenti i Republikës si Prokuror i Përgjithshëm, Adriatik Llalla përcaktoi si kriter të vetëm të karrierës së një prokurori zbatimin e ligjit dhe paanshmërinë e tij nga krimi dhe politika.
“Nëse prokurori nuk ka bërë pakt me krimin, nëse prokurori i merr vendimet vetëm duke u bazuar në ligj, atëherë ai është i pavarur nga krimi, është i pavarur nga politika,” u shpreh Llalla.
“Ndershmëria dhe përfaqësimi dinjitoz i akuzës në emër të shtetit do të jenë të vetmet kritere që do të ndikojnë në karrierën tuaj,” shtoi ai.
Prej kësaj deklarate të tre viteve të shkuara, organi i akuzës është përfshirë disa herë në rokada emërimesh dhe shkarkimesh në nivel drejtues. Shumë krerë prokurorie janë shkaktuar apo transferuar me motivacionin e përsëritur të “rritjes së cilësisë në ndjekjen penale” të organit prokurorisë.
Megjithatë, ekspertët mbeten skeptik mbi produktin e këtyre lëvizjeve të shpeshta, të cilat kanë shënuar në masë të madhe mandatin e Adriatik Llallës në krye të organit të akuzës.
“Edhe pse ndryshimet në organin e akuzës kanë qenë të vazhdueshme, duhet thëne se rezultatet lënë për të dëshiruar,” shprehet ish-zëvendësministri i drejtësisë Sokol Hazizaj.
Sipas një vëzhgimi të BIRN Prokuroria ka ndërmarrë katër riformatime të mëdha të strukturës së saj gjatë mandatit të kryeprokurorit Adriatik Llalla. Ndryshimi më i fundit në strukturën e organit të akuzës është firmosur nga Llalla me 15 mars.
“Prokuroria Shqiptare do të rifreskojë kuadrin drejtues në disa njësi strukturore në të tre nivelet, me qëllim rritjen e cilësisë në ndjekjen penale,” thuhet një njoftimin zyrtar, sipas të cilit ndryshimet në nivel drejtuese vinin si rrjedhojë e përfundimit të analizës vjetore të vitit 2015.
Në ndryshimin e radhës, kryeprokurori vendosi të shkrijë drejtorinë Gjyqësore dhe të Ekzekutimeve të Dënimeve Penale, duke shkarkuar në këtë mënyrë Arben Dollapajn, i cili pas këtij vendimi do të shërbejë si prokuror i thjeshtë.
Ndryshime pësoi edhe Drejtoria e Hetimit dhe Ndjekjes Penale. Pa asnjë motivacion sqarues thuhet se kjo drejtori do të përbëhet nga 6 prokurorë dhe do të drejtohet nga Adnan Xholi.
Ndryshime në nivelin drejtues pati edhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, ku ish kreu i saj, Blerim Tominaj kalon prokuror i thjeshtë ndërsa komandohet si drejtues, Besim Hajdarmataj.
Ndryshime në strukturë nuk i kanë shpëtuar dhe prokuroritë e rretheve, duke filluar nga Prokuroria e Apelit të Vlorës, e Lezhës e deri në Tropojë.
Në njoftimin zyrtar zyra e shtypit të kryeprokurorit saktëson se “po shqyrtohen mundësitë e ndryshimeve të tjera, me synim përmirësimin e mëtejshëm të aktivitetit institucional.”
Beteja e humbur kundër korrupsionit
Sipas raport progresit vjetor të Komisionit Europian, korrupsioni në nivelet e larta të administratës mbetet një nga sfidat kryesore me të cilën Shqipëria përballet në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.
Më 9 shator të vitit 2014, kryeprokurori Adriatik Llalla urdhëroi ngritjen e Seksionit të Hetimit të Korrupsionit dhe Pasurive pranë Prokurorisë për Krime të Rënda.
Sipas njoftimit për shtyp ky seksion do të drejtohej nga Arben Kraja dhe në përbërje do të kishte dy prokurorë e dy oficerë të policisë gjyqësore.
Objekti i hetimit të tyre do të ishin rastet e korrupsionit të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të lartë, përfshirë të zgjedhurit vendor, me fokus hetimin pasuror.
Ngritja e kësaj strukture u pasua me deklarata të forta të Kryeprokurorit se kishte “nën hetim një numër të konsiderueshëm zyrtarësh, kryesisht të nivelit të lartë, që dyshohet se janë të përfshirë në veprat penale të korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës.”
Përtej deklaratave të Llallës në media, të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë që për veprën penale të “korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të të zgjedhurve vendorë”, nuk ka qenë asnjë i dënuar për vitet 2014-2015.
I vetmi dënim i ashpër për korrupsion i një zyrtari publik në këtë periudhë duket se është ai i ish-drejtoreshës arsimore të Lushnjës Luiza Tabaku, e cila u dënua me 9 vite burg për krijimin e një rrjeti të marrjes së ryshfetit për punësimet nëpër shkolla.
Po kështu, kjo strukturë duket se ka dështuar edhe në hetimet pasurore të funksionarëve të lartë.
Të dhënat e marra nga BIRN nga ILDKPKI tregojnë që gjatë dy viteve të fundit, Inspektorati ka paditur në Prokurori 158 zyrtarë të lartë dhe të mesëm; ku përfshihen gjyqtarë, deputetë, diplomatë, ish ministra, të zgjedhur vendorë apo punonjës në tatime dhe dogana – dy sektorë të administratës publike me një nivel të lartë korrupsioni.
Vetëm në pak raste, Prokuroria ka qenë e aftë të ngrejë akuza dhe të dërgojë për gjykim zyrtarë që akuzohen për fshehje pasurie – kryesisht zyrtarë të nivelit të mesëm. Megjithatë, edhe kur këto akuza kanë shkuar për gjykim, ato shpesh janë hedhur poshtë nga gjykata, duke ngritur pikëpyetje mbi cilësinë e hetimit.
Për juristin Sokol Hazizaj, arsyeja e dështimeve të prokurorisë në hetimin dhe dënimin e rasteve të korrupsionit për zyrtarët e nivelit lartë duhet kërkuar tek mungesa e bashkëpunimit mes institucioneve publike.
“Për jo profesionistët duket sikur organi hetimit nuk vepron ndaj përfaqësuesve të organeve publike, fakt i cili ka pjesë të së vërtetës por në thelb ekziston e kundërta. Nuk ekziston bashkëpunimi midis organeve publike dhe organit të hetimit. Pra mungon thellësisht vullneti politik i zbatimit të ligjit,” thotë Hazizaj.
Në verën e vitit 2015 Kuvendi i Shqipërisë miratoi ndryshime të Kodit të Procedurës Penale duke vendosur nën juridiksionin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda hetimet për veprat penale të korrupsionit të zyrtarëve të lartë, ndërsa kryeprokurori urdhëroi shtimin e prokurorëve të strukturave kundër korrupsion.
Po në janar të vitit 2016, zyra e shtypit të Prokurorit të përgjithshëm njoftoi se Lalla kishte vendosur të ristrukturonte sërish njësinë Antikorrupsion në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, duke larguar nga drejtimi i kësaj njësie prokurorin Dritan Reshka.
Kryeprokurori i argumentoi ndryshimet duke u shprehur “se ngarkesa e kësaj njësie nuk ka qenë e lartë, pasi nuk ka pasur referime për korrupsionin në radhët e zyrtarëve të nivelit të lartë gjatë muajve të fundit nga institucionet e ngarkuara me ligj”.
Sipas Hazizaj, për shkak të presionit politik në Shqipëri institucioni prokurorisë po kalon një krize ekzistenciale.
“Presionin politik i drejtpërdrejtë i politikës ndaj akuzës, deri në pengim të saj, ka sjell si pasoj mosfunksionimin e këtij organi,” tha Haziaj.
“Kjo e bën të pamundur realizimin e një hetimi serioz dhe profesional të prokurorit, duke e rrezikuar seriozisht jo vetëm pavarësinë por dhe ekzistencën,” shtoi ai.
Përveç presionit politik Hazizaj rendit edhe mungesën e profesionalizmit në radhët e Prokurorisë si një nga shkaqet për rezultatet e dobëta të saj, duke u shprehur skeptik që lëvizjet e fundit të urdhëruara nga Kryeprokurori Llalla mund të sjellin rezultate të dukshme në punën e saj./BIRN