Me tensione është shoqëruar mbledhja e Këshillit Bashkiak të Himarës për të zgjedhur një nga 2 nënkryetarët si kryetar të komanduar.
Mbështetës të Jorgo Goros dhe qytetarë të Himarës u mblodhën para Bashkisë dhe kërkuan largimin nga mbledhja të Vangjel Tavos dhe drejtuesit të PS për Vlorën, Blendi Klosi. Kujtojmë se Tavo është Prefekt i Qarkut të Vlorës, i emëruar javët e fundit nga qeveria në këtë detyrë.
Për shkak të tensioneve, mbledhja u shty për në orën 12:00. Duhet theksuar se situata është në kontroll dhe nuk pati përplasje fizike.
Dy kryetarët e Himarës, Jorgo Goro dhe Fredi Beleri janë në burg. Fredi Beleri, i cili u fitoi zgjedhjet e vitit të kaluar, u arrestua për blerje votash dhe është dënuar nga Gjykata e Posaçme, por çështja ka kaluar në Apel. Kryetari në detyrë që ishte, Jorgo Goro i cili humbi zgjedhjet e vitit 2023, u arrestua pak ditë më parë nga SPAK për shpërdorim detyre në lidhje me tjetërsimin e një sipërfaqe toke në Dhërmi. Pas arrestimit, ai dha dorëheqjen nga qelia.
Në mungesë të tyre, sipas ligjit, detyrën e kryetarit e merr përkohësisht nënkryetari i Bashkisë. Por Himara ka dy të tillë të emëruar më parë nga Jorgo Goro, e në këtë situatë, është Këshilli Bashkiak i Himarës që do të votojë se cili prej tyre do të komandohet në detyrën e kryetarit të bashkisë.
Njëri prej tyre që do të zgjidhet, do të drejtojë bashkinë deri kur gjykata të shprehet me vendim të formës së prerë për fatin e Fredi Belerit, i dënuar me 2 vjet burg në Shkallën e Parë.
Nëse vendimi konfirmohet në Apel, Himara do të duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
/a.r