Shqipëria është një vend i vogël, i cili ndodhet në veri të Greqisë, përballë Italisë jugore dhe në jug të Kroacisë, sipas një artikulli të botuar në blogun francez të udhëtimeve “Je Papote”.
Pse duhet të vizitoni Shqipërinë?
Shqipëria ofron peizazhe të mahnitshme dhe të larmishme, një bregdet të bukur shkëmbor në jug, plazhe magjepsëse me ujëra bruz të detit Adriatik, disa liqene të mëdhenj në brendësi të vendit dhe vargmale të shumta.
Njerëzit janë të ngrohtë dhe të kujdesshëm. Turizmi është tashmë i zhvilluar, por jo në mënyrë të tepruar dhe kostoja e jetesës është më e përballueshme se në Evropë.
Aspekte të tjera tërheqëse, por shumë subjektive: Shqipëria ndodhet në Evropën Lindore.
Çfarë të shikoni, çfarë të bëni në Shqipëri?
Vizitoni Tiranën
Ky qytet ia vlen të vizitohet gjatë një udhëtimi në Shqipëri pasi është unik.
Ka rrugë dhe ndërtesa të mëdha tipike të periudhës komuniste. Disa prej të cilave, si Galeria Kombëtare e Arteve (1974), disa ndërtesa të rralla dhe shumë të vjetra dhe disa lagje shumë të gjalla.
Në mbrëmje mos e humbisni Bllokun. Dikur një lagje e nomenklaturës komuniste, e cila është kthyer në një zonë për të dalë në festa. Një kuriozitet tjetër, është Pazari i Ri.
Liqenet e Ohrit dhe Prespës
Ky rajon shtrihet në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Greqi.
Qyteti kryesor është Pogradeci. Ka shumë hotele dhe restorante të përballueshme, ku mund të shijoni specialitetet vendase, Kuranin, një peshk liqeni që shërbehet pothuajse kudo. Pak më në jug ndodhet liqeni i Prespës.
Korça dhe rajoni i saj
Korça është një qytet shumë i vjetër në jug të vendit. Ajo ndodhet në një pllajë, (lartësia mbidetare 850 metra) e rrethuar nga male dhe në afërsi të Greqisë.
Aty ndodhet fabrika e birrës më të mirë në vend, Birra Korça.
Qendra e qytetit përbëhet kryesisht nga shtëpi të vjetra prej guri dhe disa bulevardë të kohës së komunizmit me ndërtesat e betonit.
Pak kilometra në jug të Korçës, do të zbuloni Dardhën.
Është një fshat shumë i bukur malor që aktualisht po i nënshtrohet rinovimit dhe zhvillimit të plotë.
Disa shtëpiza dhe restorante janë të hapura gjatë gjithë vitit. Ekziston edhe një vendpushim skish (Ski-Pista Bigëll).
Peizazhi është i mrekullueshëm dhe lartësia shmang temperaturat e larta të verës. Një bazë e përkryer për alpinistët.
Qytetet e Korçës dhe Gjirokastrës ndodhen në brendësi të vendit, dy qytetet e vetme në jug të Shqipërisë.
Gjirokastra një qytet në jug të vendit
Arkitektura e saj është e jashtëzakonshme me shtëpitë e saj prej guri shumëkatëshe të ngjitura pas malit.
Qendra e qytetit është renditur si një sit i trashëgimisë botërore të UNESCO-s që nga viti 2005.
Nuk duhet të humbisni një vizitë në Kala, e cila ofron pamje mahnitëse të qytetit dhe maleve përreth.
Adhuruesit e letërsisë do të kenë mundësi të vizitojnë vendlindjen e Ismail Kadaresë, shkrimtarit të njohur dhe krenarisë kombëtare të vendit.
Duke vazhduar në perëndim, bëni një ndalesë në burimin e “Syrit të Kaltër”.
Ky vend magjik, në kohën e komunizmit ishte i rezervuar për elitën partiake.
Pavarësisht turmave, vendi mbetet i shkëlqyer me ujëra të kristalta dhe me një transparencë të pakrahasueshme.
Plazhet e Rivierës
Riviera Shqiptare shtrihet nga Vlora në veri deri në Sarandë në jug.
Bregdeti është kryesisht shkëmbor, por i mbushur me limane dhe gjire me plazhe zhavorri.
Kjo është e vetmja rrugë kryesore që lidh të gjitha fshatrat dhe plazhet e rajonit. Ajo ofron një pamje të mrekullueshme të një deti të përsosur blu.
Riviera Shqiptare mund të jetë një destinacion i përsosur për një pushim relaksues, origjinal dhe me kosto të ulët buzë detit.
Qeparo
Fshati i vjetër i Qeparos ofron pamje mahnitëse të detit Jon dhe ishullit të Korfuzit. Në verën e vitit 2015, bregu i detit ishte rinovuar plotësisht. Çdo vit shihet një progres në zhvillimin ekonomik dhe turistik.
Gadishulli i Karaburunit
Gadishulli i Karabunit është një ish zonë ushtarake në të cilën qasja ishte e ndaluar deri në fillim të viteve 1990.
Sot është një rezervat natyror i arritshëm vetëm në këmbë ose me varkë.
Për ta zbuluar merrni me qira një varkë në Orikum për disa orë, e cila të çon në majën e gadishullit, në një shpellë detare ku mund të notoni. Në bregun lindor të gadishullit ndodhen disa plazhe.
Vlora dhe zona arkeologjike e Apolonisë
Vlora është një qytet port i madh dhe një pikë kalimi për të shkuar në Rivierën Shqiptare.
Qyteti është i dyanshëm, një pjesë e vjetër me një atmosferë shumë orientale dhe një pjesë tjetër e ndikuar nga arkitektura komuniste.
Rreth 40 kilometra në veri të Vlorës, ndidhet Apollonia ose Apollonia e Ilirisë, një vend arkeologjik shumë i bukur.
Zona u zbulua dhe gërmua nga ekipet franko-shqiptare në vitet 1930.
Berati
Berati, i njohur si “qyteti i një mijë dritareve”, është një nga qytetet më të vjetra në Shqipëri.
Qyteti tërheq një numër në rritje vizitorësh çdo vit, falë kështjellës së shekullit të XIII, si dhe muzeut të jashtëzakonshëm të ikonave ortodokse, muzeut Onufri.
Shkodra
Shkodra është një qytet i madh i vendosur në bregun e liqenit me të njëjtin emër i cili shërben si kufiri midis Shqipërisë dhe Malit të Zi në veri.
Liqeni i Shkodrës është i mrekullueshëm. Ai është i rrethuar nga malet dhe ju mund të notoni atje në perëndimin e diellit.
Gjithashtu vizitoni Kalanë e Rozafës e ndërtuar në shekullin e XIV nga Republika e Venecias.
Pak kilometra në jug të Shkodrës, ndodhet vendpushimi bregdetar, plazhi i Shëngjinit.
Klima në Shqipëri
Shqipëria ka një klimë mesdhetare me dimër relativisht me shi dhe verë të nxehtë dhe të thatë.
Temperaturat mesatare maksimale nuk i kalojnë 30 gradë celcius as në det e as në brendësi të vendit.
/f.s