Është rënduar bilanci pas të shtënave me armë zjarri në Prishtinë mbrëmjen e djeshme. Policia bën me dije se pas 30-vjeçarit, i cili mbeti i vrarë, ka ndërruar jetë edhe gruaja që mbeti e plagosur.
Kjo e fundit ishte kalimtare dhe nuk kishte lidhje me ngjarjen. Lajmin e ka konfirmuar shef i Klinikës së Intensivës në QKUK, Shaqir Uka.
“Ka pasur dëmtim të lartë të enëve të gjakut dhe kockës së këmbës së majtë. Këto lëndime e kanë çuar pacienten në gjendje të shokut. Pas operimit në Emergjencë është sjellë në kujdes intensiv. Tek ne është sjellë në gjendje shumë të rëndë, në shok të rëndë. Pavarësisht trajtimit dhe përpjekjeve të stafit, ajo ka ndërruar jetë para pak çastesh”, ka thënë Uka.
Çfarë ndodhi dje?
Ditën e djeshme u vra me armë zjarri Egzon Haziri, 30 vjeç.
Sipas medieve në Kosovë, ngjarja ka ndodhur në rrugën “Jeronin De Rada”.
Autorët e dyshuar janë vëllezërit Naim Berisha 39 vjeç dhe Ahmet Berisha 29 vjeç.
E gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një konflikti mes grupit të të dyshuarve Berisha dhe grupit të viktimës.
Përveç Hazirit dhe kalimtares që humbën jetën, një person i cili ishte së bashku me 30-vjeçarin në momentin e ngjarjes, është i plagpsur.
/f.s