Nga Çapajev Gjokutaj
‘Nga je?’, pyesim sot kur duam të dimë qytetin, fshatin a krahinën ku ka lindur a banon bashkëbiseduesi. Rrallë e më rrallë, përdoret versioni ‘Nga të kemi?’, që në fëmininë time ishte mbizotërues.
Në fakt edhe ‘Nga je?’ edhe ‘Nga të kemi?’ kërkojnë të njëjtin informacion nga tjetri. Por versioni i dytë përcjell edhe një mesazh plus: dëshirën për ta afruar të porsanjohurin duke e quajtur tëndin.
Sa më shumë kalon koha, them me vete, aq më të ftohtë bëhemi me tjetrin, aq më shumë zhytemi në vetminë tonë.
E në rrethana të ndryshme njeriu sillet ndryshe. Sipas vendit dhe kuvendi. Jo njësoj dhe në dasëm dhe në ksodh, dhe në mbledhje me eprorët, dhe në kafene me shokët.
Sot i ke të gjitha në market dhe marketin e ke pranë shtëpisë, hapur deri në orët e vona të natës. Ndaj dhe ndodh të mos i dish as emrin komshiut të tre kateve më sipër. Pa le të kërkosh miqësi nga një i porsanjohur.
Po mbase ndikon dhe një faktor tjetër. Dikur mungonin televiziorët e radiot, gazetat ishin të pakëta dhe shumica e njerëzve s’dinin shkrim e këndim. Doemos kishte uri për informacion.
E një i porsaardhur mund ta zbuste këtë uri, të të molloiste ç’bëhej e ç’thuhej andej nga vinte.
Sot shtrirë në divan, veshur si të ta ketë ënda, me pizhama a gjysëm lakuriq, mund të marrësh vesh edhe ç’ndodh në anën tjetër të botës. Të mjafton telekomanda. Zonjë grua, e gatshme të shërbejë në çdo çast, pa të kërkuar gjë Ç’të duhet tjetri që mund të ketë një mijë e një huqe? Aq më keq një i panjohur…
Po s’përjashtohet edhe një faktor thjesht gjuhësor. Shqipja bashkëkohore ka hequr e po heq dorë nga trajta gramatikore emfatike. Bashkë me ‘nga të kemi’, kanë dalë nga përdorimi dhanorja etike, po kufizohet dëshirorja e po rrallohet përditë e më shumë habitorja etj.
Ndërkohë që meditoj, Dodo (maçoku) vjen e më fërkohet tek këmbët. E ndjen të nevojshme ta bëjë këtë disa herë në ditë. Thjesht për të shprehur afeksion, se i gjalli, njeri a kafshë qoftë ka nevojë për tjetrin, si prani, si marrëdhenie, si ndjenjë. Si dëshmi ekzistence në fund të fundit…