Kledian Leka me origjinë shqiptare, është studenti i parë i verbër i diplomuar në Shkenca Kompjuterike në Universitetin e Parmës, në Itali.
23-vjeçari, banues në Casalmaggiore, Kremone, e përfundoi ciklin 3-vjeçar me pikët maksimale për tezën me titull “Edukimi Informatik”.
“La Republica” shkruan se teza e Lekës përshkruante strategjitë dhe mjetet për akses gjithëpërfshirës për nxënësit me dëmtime shikimi.
“Teza ime mund të jetë një manual për të ndihmuar fëmijët me dëmtime të plota ose të pjesshme të shikimit. Nuk kishte materiale mësimore për nxënësit e verbër, kështu që u nisa për të përkthyer dhe konvertuar të gjitha dokumentet tradicionale mbi të cilat ata studionin, në mënyrë që ato të ishin edhe të lexueshme për ne të verbrit”, është shprehur shqiptari për “Corriere della Sera”.
Klodiani, u dha një pyetësor nxënësve të tjerë të verbër, në të cilin u kërkonte të tregonin propozimet dhe mbi të gjitha, pengesat që hasnin. Përmbledhja e përgjigjeve u përfshi në tezë.
“Nga sot, thotë ai, Universiteti i Parmës, dhe ndoshta universitete të tjera, do të kenë një pikënisje nga e cila do të marrin frymëzim për të përmirësuar aksesin.”
Klediani, në moshën 11-vjeçare u përfshi në një aksident dhe që atëherë e humbi shikimin. Megjithatë i riu shqiptar nuk u ndal asnjëherë.
“Vazhdova të punoja, nga ora 08:00 deri në 13:00. Pastaj, nga ora 14:00 deri në 2:00 studioja. Nuk kam menduar kurrë të ndalem dhe të ndjej keqardhje për veten time dhe vendosa të luftoj për të realizuar të gjitha ëndrrat e mia .”
Ai u diplomua si ekspert IT me nota të larta. Deri në vitin 2020 bashkëpunoi me Muzeun Bijou të Casalmaggiore. I riu është i regjistruar në regjistrin kombëtar të mësuesve të IT-së dhe është kualifikuar për të trajnuar atletë të verbër, pasi ushtroi atletikën në nivel garues për dy vjet.
/f.s