Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, mori pjesë në aktivitetin “Drejtues për një ditë” organizuar në Tiranë, ku solli në vëmendje fillimin e punës në sheshin “Skënderbej” dhe unifikimin e taksave në një faturë të vetme për qytetarët e Titranës.
Veliaj shpjegoi pjesë së aktivitetit të tij sot, ku theksoi se “Sot kemi marrë disa vendime shumë të rëndësishme, sheshi “Skënderbej” do të fillojmë në datën 5 prill me prezantimin e pare publik dhe më pas në 24 njësitë e Tiranës. Kemi një projekt që është akoma më i avancuar: Shkojmë nga një situatë ku sheshi kishte sipërfaqe të fortë, 85% të fortë dhe 15% gjelbërim, në një situatë ku jemi 50 me 50, pra kemi shtuar “ishujt” e gjelbërimit, duke qenë se sipërfaqja sipas arkitektëve është jashtëzakonisht e madhe dhe për ata që e njohin Tiranën e ditëve të verës, ku është shumë vapë dhe vuajmë për të pasur “ishuj” pushimi, kjo është shumë e rëndësishme”.
“Gurë nga 8 krahina shqiptare. Pjesa më e madhe e gurëve dhe pllakave për sheshin, në fakt vijnë nga Tropoja dhe besoj që edhe mënyra se si arkitektët kishin konceptuar praninë e materialeve nga e gjithë Shqipëria është në fakt edhe simbolika e vërtetë e atij sheshi. Do jenë në total 35 mijë lule, 5000 pemë e shkurre dekorative dhe do të jetë në fakt një eksperiencë unike e një sheshi të ndërthurur me natyrën, ku do të kemi mundësi për shumë aktivitete publike që sot nuk i realizojmë dot, me rotondon që kemi”, tha Veliaj.
Veliaj solli në vëmendje shtabin e emergjencave për reshjet që kanë nisur që sot, si dhe takime të tjera, që kanë të bëjnë me mënyrën se si Bashkia financohet dhe se si Bashkia mbledh të ardhurat për unifikimin e taksave në një taksë të vetme, duke theksuar jo rritje taksash, por thjeshtë lehtësimin e punës së qytetarëve.