Familja e Triumf Feratit, të riut që u gjet pa shenja jete pranë varrit ku prehet babai i tij në fshatin Gurakoc të Istogut, ka hapur dyert e mortit.
Djali i vogël i ish-kryetarit të bashkise së Istogut, të ndjerit Fadil Ferati, dhe vëllai i kryetarit aktual, Ilir Ferati do të përcillet për në banesën e fundit nesër 26 mars, ndërsa sot familja e tij pret vizitat ngushëlluese.
Njoftimi për ceremoninë mortore është bërë në rrjetin social Facebook nga vëllai i të ndjerit, frybashkiak aktual i Istogut Ilir Ferati.
“Të dashur qytetarë, miq, shokë e dashamirë, Ju njoftojmë se me rastin e ndarjes nga jeta e të dashurit tonë Triumf Ferati. Presim vizita ngushëllimi sot me datën 25 Mars 2024, duke filluar nga ora 8:00 deri në ora 16:00 në Restaurant Tradita në Gurrakoc. Ndërsa varrimi i më të dashurit tonë, vëllaut tim Triumfit, bëhet nesër me datë 26 mars 2024 në ora 14:00 në varrezat e fshatit në Gurrakoc”, shkruan Ilir Ferati në Facebook.
Ndërkaq rrethanat e vdekjes së të riut mbeten ende një mister. Dyshimet e para lidhen me pistën e vetëvrasjes, pasi ky shtetas është gjetur i pajetë pranë varrit ku prehet babai i tij i ndjerë, ish-kryetari i Komunës Fadil Ferati. Autoritetet në Kosovë njoftojnë se po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Kujtojmë se ish-kryetari i Komunës së Istogut, Fadil Ferati, ka ndërruar jetë 14 vite më parë.Fadil Ferati ishte kryetar i Istogut për shumë vite, nënkryetar i LDK-së, anëtar i Kryesisë Qendrore dhe anëtar i Këshillit të përgjithshëm të kësaj force politike.
/a.r