Nga Mero Baze
Arrestimi i Jorgo Goros pas hetimeve të padisë së ngritur nga Fredi Beleri për tjetërsimin e një prone në Himarë në favor të një prej pretenduesve, është një rast që ka më shumë rëndësi diplomatike se sa juridike.
Roli i një kryebashkiaku në tjetërsimin e një prone që vjen nga ligji 7501, është thjeshtë tek konfirmimi që jep institucioni i tij nëse AMTP (ose tapia) siç i thonë fshatarët, nëse është origjinale apo jo. Nga falsifikimet gjigande që janë bërë në bregdetin shqiptar, çdo tapie mund t’i thuash që është origjinale, ose nuk është origjinale, dhe gjithmonë ke një arkiv që ta ofron këtë shans. Në zinxhirin e fitimit të pronësisë përmes një AMTP, bashkia është hallka më pa rëndësi. Më e rëndësishme është hipoteka dhe verifikimi topografik në terren.
Nëse Goro dhe kolegët e tij në Sarandë, Vlorë, Lezhë, Durrës, Lushnjë e Fier do t’i hetosh për konfirmimet e AMTP, i fut të gjithë në burg, në të gjitha kohët, për çdo falsifikim që ka ndodhur shpeshherë dhe pa vullnetin apo dijeninë e tyre.
Por rasti në fjalë ka tjetër vëmendje. Jorgo Goro mund të ketë kryer disa herë këtë krim dhe nuk po hetohet për to, pasi janë sherre hajdutësh mes shqiptarësh.
Vëmendjen e sjell fakti që padinë e ka bërë Fredi Beleri dhe i përfoluri si blerës është Artan Gaçi, ish- deputet socialist, i cili për fatin e tij të keq, për shkak të kësaj xhungle në pronësinë në bregdetin shqiptar, e ka blerë tre herë atë copë toke, një herë nga ai që kishte certifikatën, që rezulton që e ka marrë me hile, një herë nga ai i vërteti, që nuk merrte dot certifikatën, dhe pastaj dhe nga qeveria shqiptare, në përpjekje për t’u bërë investitor, duke i shkaktuar problem dhe gruas së tij Olta Xhaçka, pa qenë fare ojekt i punës së saj, por për konflikt interesi.
Meqë çështja fitoi vëmendje politike ndërkombëtare, ajo copë tokë nxorri nga qeveria ministren Xhaçka, e cila kishte fituar mbështetje të fortë dhe ndërkombëtare në dy postet e fundit, atë të Mbrojtjes dhe Ministrisë së Jashtme, dhe tani burgosi dhe kryebashkiakun Goro.
Nuk është se po vendoset ndonjë standard drejtësie për tokat e falsifikuara në Shqipëri, se ashtu mund të ishte një lajm shumë i gëzuar dhe se mund të futësh në burg çdo kryetar bashkie, përfshi dhe Goron, por po i tregohet Greqisë se jemi të drejtë në gjykimin e rasteve, si për Belerin, dhe për kundërshtarin e tij.
I pari u akuzua për vjedhje votash dhe është në burg, i dyti për mbështetje të një falsifikimi dhe është në burg.
Shpresoj të mos jenë aq cinikë sa t’i lënë në të njëjtën qeli, por në fakt është çështje e dalë nga e njëjta qeli.
Tani kur diplomatët grekë të ngrenë zërin se Belerin e dënuan se donin të falsifikonin tokat, kanë dhe shembullin tjetër të drejtësisë së re, që i dënon dhe ata që akuzon Beleri. Por kjo nuk e shfajëson Belerin, pasi ai e nisi pa ardhur në pushtet me të vjedhur.
Ndaj këto ngjajnë të jenë një palë pranga jo për t’i lidhur duart Jorgo Goros, por për t’i lidhur duart dhe për t’u mbyllur gojën pretendimeve të Greqisë për drejtësi të njëanshme në Shqipëri.
Dhe hapi i parë u hodh. Në raport me pretendimet greke, drejtësinë e kemi të paanshme. Është mirë ta kemi dhe për pretendimet e njëjta të shqiptarëve ndaj njëri- tjetrit.