Sulmet terroriste që tronditën Brukselin, pas dëshmirës së Salah Abdeslam se objektivi i tij ishte shpërthimi i bombës në “Stade de France” gjatë miqësores Francë-Gjermani, ngritën pikëpyetje të mëdha në lidhje me organizimin e Europianit të Francës.
Gjithsesi, autoritetet më të larta të Parisit sigurojnë se këto ngjarje nuk e vënë aspak në dyshim organizimin e eventit edhe pse modalitetet e planit të sigurisë përgjatë gjithë evenimentit, nuk janë qartësuar ende, kur duhen edhe 2 muaj e gjysmë nga ndeshja e parë e Euro 2016.
Një prej vendimeve të marra orët e fundit është mbyllja e Fanzones. Kryeministri francez, Manuel Valls u kujdes personalisht që të dalë me një qëndrim zyrtar në lidhje me këtë çështje, duke siguruar se Europiani nuk është në rrezik.
“Po, Euro 2016 dhe Tour de France do të zhvillohen. Eventet e mëdha sportive dhe kulturore janë shumë të rëndësishme për të treguar se ne jemi një popull i lirë, jemi në këmbë dhe nuk kemi frikë”, theksoi kreu i qeverisë në një intervistë dhënë për radion Europe 1.
Gjendja e jashtëzakonshme do të vazhdojë edhe për disa kohë por sipas të gjitha gjasave do të shfuqizohet në prag të europianit që starton në datën 10 Qershor. Deklarata e kryeministrit francez vjen pak orë pas qëndrimit të zv/presidentit të UEFA-s, Giancarlo Abete, sipas të cilit, ekziston mundësia që ndeshjet të luhen pa tifozë.