Familja e Leonard Farrukut, i cili i mori jetën vetes në Dhjetor të vitit të kaluar në një anije hotel ku qëndronin azilantë, kanë thënë se qeveria britanike duhet të mbahet përgjegjëse për vdekjen e tij. Familjarët e tij kanë nisur veprime ligjore kundër qeverisë për të detyruar një vendim mbi mbajtjen e një hetimi të pavarur për vdekjen e 27-vjeçarit. Avokatët thanë se familja e mori vendimin pasi qeveria britanike nuk iu përgjigj tre letrave të dërguara muajin e kaluar.
Ata i kanë kërkuar qeverisë që të përgjigjet deri të premten për atë që e cilësojnë si nevojë urgjente për të siguruar prova në lidhje me ngjarjen. Policia dhe mjekësia ligjore po hetojnë vdekjen e Farrukut, i cili u gjet i pajetë në një banjo në anijen Bibby Stockholm. Të tjerë azilantë që qëndrojnë në këtë anije i kanë thënë The Guardian se vdekja e 27-vjeçarit i ka tronditur dhe kanë frikë se të tjerë në bord mund të pësojnë të njëjtin fat.
“Ne ndjejmë se qeveria britanike duhet të mbahet përgjegjëse për vdekjen e Leonardit. Dëshira jonë është të kuptojmë të vërtetën e asaj që i ndodhi Leonardit dhe të sigurohemi se gjëra të tilla nuk do të ndodhin më ndaj azilantëve të tjerë. Mënyra që kjo të ndodhë është që qeveria të ndërmarrë një hetim të plotë dhe të pavarur për vdekjen e Leonardit”, tha motra e viktimës, Jola Dushku.
Familjarët e Farrukut i dërguan një letër ministrit të Drejtësisë, Alex Chalk, ku theksohej dështimi i qeverisë për të marrë një vendim nëse do të kryhej një hetim të pavarur nga Avokati i Popullit për Burgjet, i cili ka akses tek hetuesit specialistë me përvojë në mbledhjen e provave në lidhje me vdekjen e njerëzve që kanë qenë të burgosur. Anija-hotel në fjalë nuk është burg, apo qendër paraburgimi, por avokatët thonë se ishte gati-gati një paraburgim duke pasur parasysh vendndodhjen e largët dhe kufizimet që lidheshin me të. Për këtë arsye sipas tyre duhet të nisë një hetim “i jashtëzakonshëm”.
“Do të ishte e papërshtatshme të komentohej më tej teksa hetimi është duke vijuar”, tha ai.
Leonard Farruku, 27 vjeç, i dha fund jetës në anijen hotel Bibby Stockholm. Kjo anije hotel u mor me qira nga qeveria angleze për të zbutur koston ditore prej 8 milion sterlinash të azilantëve të mbërritur gjatë dy viteve të fundit në Angli me gomone mes tyre 12.800 shqiptarë.
/a.r