Një polic që ka kryer 30 vjet shërbim në Policinë e Shtetit do të mund të mbyllë karrierën e tij në moshën 55 vjeçare. Deri në daljen e tij përfundimtare në pension ai do të përfitojë 70% të pagës.
Po ashtu, për çdo vit shërbimi mbi 30 vjet masa e trajtimit rritet me 1% të pagës, por nuk duhet të kalojë 80% të saj. Ndryshimi do të vijë pas miratimit të ligjit të ri të Policisë së Shtetit dhe synon rifreskimin e trupës policore dhe kostot pritet të përballohen nga buxheti i bluve.
Ligji i ri fuqizon edhe rolin e departamenteve në drejtorinë e përgjithshme. Ndryshimet në këtë drejtim janë testuar tashmë prej disa vitesh në Departamentin për Kufirin dhe Migracionin, i cili me sa duket është parë efektive dhe e njëjta gjë do të behët edhe në departamentet e tjera, si te Policia Kriminale dhe te Rendi e Siguria.
Pra, departamentet do organizohen jo vetëm në nivel qendror, por edhe vendor me drejtorët dhe stafin e tyre nëpër qarqe.
Në këtë prizëm parashikohet një lehtësim për sa i përket edhe rritjes në karrierë, e cila do të bëhet brenda për brenda departamenteve. Për shembull, nëse një oficer i ri e nis karrierën në Policinë Kriminale, rritja do të bëhet brenda këtij departamenti, aty ku po specializohet më mirë, duke shmangur kalimin në departamente të tjera, te të cilat ambientimi do të ishte më vështirë.
Në draftin e ndryshimeve të ligjit për Policinë e Shtetit janë parashikuar disa ndryshime edhe sa i përket avancimit të teknologjisë dhe inteligjencës artificiale, e cila do të synohet në vijim të aplikohet përmes projekteve të ndryshme.
Kjo pikë synon investimet në kamera inteligjente, të cilat do të instalohen në vijim në rrugë dhe ambiente publike dhe që do të ul numrin e efektivëve të policisë në terren. Shqipëria ka në plan një projekt-financim nga Emiratet e Bashkuara Arabe në këtë drejtim, dhe këto kamera nuk do të kenë nevojë të monitorohen nga burime njerëzore, por paligjshmëria do të raportohet në kohë reale nga sistemi, nga mjetet e vjedhura, targat, persona të dyshuar e më gjerë. Efektivëve të policisë, me miratimin e ligjit të ri, u ndalohet dy punësimi.
Po ashtu, do të ndalohet punësimi për 1 vit për punonjësit që ndërpresin marrëdhëniet me Policinë e Shtetit në subjekte apo biznese që ata kanë mbikëqyrur ose që mund të kenë qenë pjesë e komisioneve apo bordeve për dhënien e lejeve për ushtrim të aktiviteteve. Për këtë është parashikuar që efektivi të marrë të pagë për 1 vit pas daljes nga policia.
/f.s