Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka lënë të lirë këtë të hënë biznesmenin Leonard Gjini, i arrestuar pas shpërthimit të 1 Marsit në Lushnje.
“Gjykata vendosi vleftësimin e paligjshëm të ndalimit të personit nën hetim Leonard Gjini, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”. Vendosi të mos caktojë asnjë masë sigurimi personal ndaj personit nën hetim pasi mungon dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova për kryerjen e veprës penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, thuhet në vendimin e GJKKO, që urdhëroi lirimin e menjëhershëm të tij.
Nën akuzë pas ngjarjes u vunë dhe 5 zyrtarë, 4 prej të cilëve punonjës të bashkisë ndërsa 1 tjetër i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit Lushnje. Ndaj tyre Gjykata e Fierit kishte vendosur masën e ndalimit të daljes jashtë shtetit dhe pezullimin nga detyra, masa të cilat u lanë në fuqi edhe nga Gjykata e Posaçme.
Çështja i kaloi SPAK me vendim të Prokurorisë së Fierit, e cila moskompetencë për këtë çështje, duke qenë se mes të akuzuarve për këtë ngjarje është dhe deputeti socialist, Bujar Çela.
Ky i fundit mbeti vetë i plagosur në atë shpërthim të regjistruar në magazinën në pronësi të tij, e cila rezultoi në tejkalim të lejes së ndërtimit. Ndaj deputetit Cela rëndojnë 3 vepra penale: “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Ndërtimi i paligjshëm”, dhe “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”.
/a.r