Hapet gara për zgjedhjet në fakultete. Ende pa depozituar kërkesat, gazeta Panorama disponon në rrugë jozyrtare emrat e kandidatëve që do të garojnë më 20 prill për të drejtuar universitetin më të madh në vend, atë të Tiranës.
Rregullorja e re, e vlefshme për të gjitha universitetet, u jep mundësi shumë pedagogëve me titullin “profesor” të kandidojnë, ndërsa penalizon pjesën dërrmuese të rektorëve që për dy mandate kanë drejtuar universitetin.
Përpara dy ditësh është formuar Komisioni Institucional i Zgjedhjeve (KIZ), që do të administrojë zgjedhjet dhe që sipas rregullores, sot duhet të presë kandidaturat për rektorë.
KANDIDATËT
Janë tre dekanë fakultetesh të përfolur në mjediset akademike që thuhet të kenë vendosur për të marrë më shumë përgjegjësi, por edhe të ngjiten një shkallë më lart në karrierën e tyre.
Bëhet fjalë për Mynyr Konin, dekan në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Sulo Haderin, dekan i Fakultetit të Ekonomisë dhe Klodeta Dibrën, dekane e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, të cilët kanë bërë tashmë gati dokumentacionin për ta dorëzuar në KIZ.
Të kontaktuar nga gazeta, dy të parët nuk preferojnë ta bëjnë publike, por nga ana tjetër nuk e përjashtojnë mundësinë e hedhjes së kandidaturës.
“S’kam ende asnjë vendim. Ligjërisht i kam të gjitha mundësitë e hapura. Pa u bërë zyrtare, nuk preferoj të prononcohem”, thekson Sulo Hadëri.
Burime të sigurta për Panoramën bëjnë me dije se Klodeta Dibra, të enjten do të paraqesë zyrtarisht kërkesën për rektore në KIZ.
“Çdo dekan që e ndien se ka dhënë një kontribut, i shkon në mendje të japë një kontribut edhe më të gjerë dhe për ta ndryshuar këtë situatë në universitet”. E mërkura është dita e parë e regjistrimit të kandidatëve për rektorë dhe anëtarë të senatit akademik, ndërsa tri ditë më pas, me konstitucionalizmin e Komisionit Zgjedhor të Fakulteteve (KZF), depozitohen kërkesat për dekanë fakultetesh e përgjegjës departamentesh. Ata që kandidojnë për rektorë e dekanë duhet të mbajnë titullin “profesor” dhe të vijnë nga radhët e personelit akademik.
PROCEDURA E ZGJEDHJEVE
Në zgjedhjet për autoritetet drejtuese të universiteteve marrin pjesë pedagogët e brendshëm dhe studentët e ciklit të parë e të dytë të studimeve, ku pesha e këtyre të fundit është vetëm 10%. Kandidati që fiton numrin më të madh të votave shpallet i zgjedhur për postin drejtues.
Në rast se është vetëm një kandidat, automatikisht shpallet fitues, me kushtin që të sigurojë jo më pak se 50% të votave. Nëse nuk sigurohet kjo edhe në një raund të dytë votimesh, shpallen zgjedhje të reja. Në rast se nuk regjistrohet apo nuk fiton asnjë kandidat, duhet pritur jo më pak se 6 muaj për të zhvilluar zgjedhjet e reja.
Panorama