Juristi Kreshnik Spahiu, në një intervistë që ka dhënë për Euronews Albania, foli në lidhje me marrëveshjen mes mazhorancës dhe opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore.
Spahiu theksoi se po bëhet një rifreskim i marrëveshjes mes kreut të qeverisë Edi Rama dhe Sali Berisha, që u bë tre ditë para shpërthimit të Gërdecit, 16 vite më parë.
Sipas tij, Rama do e mbështesë sërish Berishën për shkak të interesave të tij.
“Bardhi është nënkryetari i grupimit të Sali Berishës, do të thotë se është përfaqësuesi i zërit të Berishës. Marrëveshja Berisha-Rama është një freskim i kontratës së tyre historike të bërë 16 vite më parë, 3 ditë para Gërdecit. Çuditërisht dita e sotme përkon me 16 vjetorin e Gërdecit.
Edi Rama përfitoi nga kjo marrëveshje dhe i garantuan njëri-tjetrin mos të preken nga drejtësia, të mos pengojnë në bizneset e tyre, të mos lejojnë aktorë të tjerë politikë, të krijojnë imunitet dhe ndaj ndërkombëtare. Kjo marrëveshje kishte nevojë për rifreskim për shkak se u futën faktorë të fuqishëm.
Të gjithë premisat janë që Rama e legjitimoi, e riktheu në politikë sepse i intereson të ketë një kundërshtar si Berisha. Berisha duke qenë se ka të gjithë planetin kundër, i vetmi që mund ta mbështesë është Edi Rama”-tha Spahiu.
Mes tjerash ky i fundit theksoi se Ervin Salianji është një nga personalitetet më të fora të opozitës.
“Ervin Salianji është një nga personalitetet më të forta të opozitës. Unë kam pasur pritshmëritë që Salianji të ishte një ndër liderët e ardhshëm të opozitës apo PD-së. Ndjej keqardhje që figura të tjera po mbivendoset pa kontribute dhe pa njëlloj perspektive vetëm se ka një xhelozi të fortë ndaj Salianjit”-theksoi ai./ m.j