Paratë e përcaktuara për kompensimin e ish-zotëruesve të pronave të sekuestruara gjatë regjimit komunist gjatë vitit të shkuar i kaluan shtresave në nevojë, bashkive dhe Federatës Shqiptare të Futbollit. Kjo për shkak të pezullimit të ligjit “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave” nga Gjykata Kushtetuese.
“Vendimi i Gjykatës së Strasburgut si fillim dhe ai i Gjykatës Kushtetues e më pas e kanë kthyer çështjen në nivelin zero, dhe ky është problemi i parë”, tha Myrshit Vorpsi, kryetar i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”.
Të dhënat nga Agjencia për Trajtimin e Pronave në raportin e vitit 2023 tregojnë se që nga nisja e funksionimit të saj në vitin 2016, e deri në fund të vitit të shkuar, janë dëmshpërblyer financiarisht 821 nga 26 mijë e 91 ish-pronarë përfitues.
“Kjo ndodh vetëm për një arsye. Sepse skema e miratuar e bën ish-pronarin të jetë në dorë të shtetit. Shteti i thotë, po i do shpejt paratë, merr 20% e dhe 80 % i mbaj unë”, shtoi Vorpsi.
Si afat për kompensimin e ish-pronarëve ishte lënë viti 2025, por duke qenes e procesi nuk i përmbushi objektivat ai do të shtyhet edhe me 5 vite të tjera.
“Ndonëse kanë kaluar kaq vite ne ende nuk dimë vlerën totale për të dëmshpërblyer ish-pronarët. Gjithashtu duhet të presim vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Strasburgut”, deklaroi ai.
Të dhënat nga ATP tregojnë se gjatë 2016-s kur edhe nisi procesi u paguan më shumës e 1.8 miliardë lekë për kompensimin e ish-pronarëve. Shifra u rrit në gati 2 miliardë lekë gjatë 2017-s për të vijuar më pas trajektoren rënëse deri në vitin 2020.
/f.s