Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është shprehur se këtë vit në Tiranë ka pasur 40% rezervime në hotele sesa vitin e shkuar. Në një prononcim për mediat, Veliaj ka thënë se pritet një stinë e jashtëzakonshme për Tiranën.
Erion Veliaj: I gjithë ky qytet është kontributi i secili që ka përveshur mëngët, që ka dhënë dashuri, që është shtruar tek puna dhe më bëhet zemra mal që ju shikoj sot që përveç qytetarëve të Tiranës, kanë ardhur nga të gjitha rrethet. Kanë ardhur nga Kosova, nga Maqedonia e Verit, nga Mali i Zi dhe vërtetë gëzohem kur shikoj një pafundësi turistësh. Do të thotë që stina e turizimit në Shqipëri ka filluar para se të fillojë sezoni turistik, kështu që po përgatitemi duke parë edhe hotelet. Hotele franceze po hapen në Tiranë. Kemi 40% rezervime në Tiranë seç kishim vjet, do të thotë se po presim një stinë të jashtëzakonshme për Tiranën.
Gjatë fjalës së tij, Veliaj ka falenderuar punonjësit e mediave si dhe ata që po merren me festimet e Ditës së Verës teksa ka shpresuar që dhe për ata të ketë një moment pushimi. Veliaj e ka mbyllur fjalën duke uruar që dielli ta ngrohë Shqipërinë dhe zemrat e shqiptarëve.
Erion Veliaj: Dua të falenderoj të gjithë kolegët e medias, ashtu si dua të falenderoj të gjithë kolegët që po merren me argëtimet në qytet. E di që për shumicën është një ditë pushimi, kurse për ju dhe për ne është një ditë pune. Ju falenderoj me gjithë zemër dhe shpresoj që do të ketë një moment pushimi dhe për ju që të nxirrni fëmijët dhe familjet tuaja. Lus Zotin që të ketë pranverë në zemrën e secilit. Shpresoj që dielli ta ngrohtë Shqipërinë e zemrat tona.
/a.r