Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, është shprehur se opozita duhet të bashkohet, në mënyrë që të jetë e gatshme të përballet me qeverinë e kryeministrit Edi Rama.
Komentet Mediu i bëri teksa ishte i ftuar në Euronews Albania, ku tha se as Lulzim Basha dhe grupi i tij nuk duhet të përjashtohet nga bashkimi i opozitës.
Kjo pasi sipas tij, edhe për faktin se Basha ka 10 deputetë që e ndjekin dhe bashkimi i opozitës shmang marrëveshjet e njëanshme.
Ai tha gjithashtu se opozita duhet të ndërtojë një grup negociatorësh me faktorin ndërkombëtar dhe sipas Mediut, marrëdhëniet me ta nuk duhet të jenë ndërpersonale.
“S’biem dakord kur biem dakord. Unë mendoj që me faktorin ndërkombëtar është shumë e rëndësishme që opozita të ndërojë një grup negociatorësh. Marrëdhënia me ndërkombëtarët nuk duhet të jetë personale, por institucionale. Nuk duhet të ndërtohet në bazë të problemeve apo marrëdhënieve individuale.
Gjithësecili deputet ka aftësinë të bëjë një analizë. Ajo që ka ndodhur këto kohë ka qenë një faktor pozitiv për opozitën. Bashkimi i opozitës e ka faktorizuar opozitën. Por ne nuk duhet t’i shikojmë këto si momente. Duhet një axhendë e qartë. Duhet një rrugë për të bashkuar opozitën. Nuk mendoj se pesha ka të bëjë me faktin ku je. Opozita sot ka nevojë për çdo lloj faktori politik të rëndësishëm. Ka sinjale pozitive për hapjen e PD dhe të opozitës.
Asnjë (as Basha) nuk duhet përjashtuar. Basha sot ka 10 deputetë. Për të hequr mundësinë e marrëveshjeve të njëanshme, duhet të jemi ne të tjerët të gjithë bashkë. Raportet e mia me Bashën kanë qenë që unë gjithmonë jam përpjekur t’i them bindjet e mia. Ka të tjerë që e kanë parë si idhull Bashën dhe sot janë kundër tij. Marrëdhënia politike opozitare dhe ajo elektorale, janë dy gjëra të ndryshme”, tha Mediu.