Pas vendimit të qeverisë së Kosovës për dhënien e 24 hektarëve tokë Manastirit të Deçanit, ka reaguar edhe kryeministri shqiptar Edi Rama. Në një postim në rrjetet sociale, ai konsideron këtë një vendim të vonuar, por inkurajon lidershipin kosovar që të vazhdojë të punojë me aleatët për të treguar se Kosova është një partner i besueshëm i Komunitetit Euro-Atlantik.
“Unë e mbështes plotësisht vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me Manastirin e Deçanit. Më mirë vonë se kurrë. E inkurajoj lidershipin e Kosovës që të vazhdojë të punojë me aleatët tanë të përbashkët kyç për të demonstruar se Republika e Kosovës është me të vërtetë një partner i rritur i besueshëm i Komunitetit Euro-Atlantik”.
Qeveria e Kosovës ka kërkuar nga Agjencia Kadastrale që të regjistrojë 24 hektarë tokë në emër të Manastirit të Deçanit. Ky veprim sipas Kurtit, vjen pasi anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës po kushtëzohet nga zbatimi i këtij vendimi.
Gjatë mbledhjes së Qeverisë, Kurti tha se ky vendim është i padrejtë, por nuk do t’ia mohojë vendit anëtarësimin në Këshillin e Evropës, pasi thonë se janë kushtëzuar me zbatim të tij.
/a.r