Nis konferenca e Kryetarëve, ku pritet të diskutohet ngritja e dy komisioneve hetimore të rëna dakord në negociatat mes PS-së dhe Rithemelimit për rikthimin në normalitet të Kuvendit mes PS dhe Rithemelimit.
Në takimet e javës së shkuar të mbajtur në zyrën e kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, PS ka rënë dakord të shqyrtojë disa prej kërkesave të Rithemelimit bazuar në vendimin e gjykatës kushtetuese dhe ligjin e ri për komisionet hetimore.
Në 5 Tetor 2023, opozita nisi një aksion në parlament për shkak se maxhoranca vendosi të rrëzojë:
1. Kërkesën e grupit parlamentar të PD për caktimin e përfaqësuesit të saj në komisionin e reformës zgjedhore.
2. Ngritjen e Komisionit Hetimor për kontratat koncesionare në shëndetësi.
3. Ngritjen e Komisionit Hetimor për ndërhyrjet në sistemin TIMS.
Në atë seancë opozita bllokoi procesin e votimit.
Maxhoranca e kreu votimin në 12 tetor 2023, duke rrëzuar tre kërkesat e grupit parlamentar të PD.
Rrëzimi i 2 kërkesave për Komisione Hetimore më 12 Tetor vinte pas faktit që mazhoranca që nga 2021 kishte refuzuar edhe 5 kërkesa të dorëzuara kohë më parë (2 dorëzuar nga grupi që në atë kohe drejtohej nga Basha dhe 3 dorëzuar nga grupi që drejtohej nga Berisha).
Opozita reagoi ashpër për votimin e njëanshëm të datës 12 Tetor për rrëzimin e dy Komisioneve Hetimore dhe ndryshimit të përbërjes së Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe, nga seanca plenare e 19 Tetorit, nisi një aksion në Parlament për të pamundësuar veprimtarinë normale në Komisionet Parlamentare dhe seancave plenare.
Opozita shpalli publikisht tre kërkesa për të lejuar normalitetin në Parlament:
1. Lejimin e kontrollit parlamentar përmes pranimit të kërkesave të opozitës për ngritjen e Komisioneve Hetimore, një e drejtë kushtetuese e opozitës që nuk varet nga vullneti i shumicës parlamentare;
2. Lejimin e Grupit Parlamentar të PD për t’u përfaqësuar në Komisionin e Posaçëm Parlamentar të Reformës Zgjedhore, me kryetarin dhe anëtarët që përzgjidhen nga vetë opozita, duke hequr menjëherë dorë nga loja e emërimit të opozitës në Kuvend;
3. Shqyrtimin në kohë të propozimeve ligjore të deputetëve të opozitës, që prej 2 vjetësh mbahen pezull dhe nuk futen në procedurë parlamentare.
Nga ky moment, për 5 muaj, Kuvendi është përfshirë nga përplasjet mes palëve, duke mos zhvilluar mbledhje normale në Komisione dhr senacë plenare.
/f.s