Artistja vizuale Blerta Kambo rihap ekspozitën ‘Man of the castle’ (Burrë i kështjellës) tek qendra kulturore Tulla pikërisht me rastin e festës se gruas, por kësaj here me një performancë të shtuar.
Gjatë hapjes, Blerta ftoi kantautoren Aida Al Hani të ndërhyjë me violinen e saj, ku qëllimi përfundimar i performancës ishte vendosja e një tufe me lule në tokë. Pikërisht këtë tufë me lule Kambo ia kishte dhuruar mamasë së saj ditë më parë, për 8 mars, dhe të nesërmen ia kërkoi sërish mbrapsht, për ta kthyer në një formë proteste-arti të heshtur.
Simbolika e këtij veprimi është e kuptueshme për këdo që jeton në Shqipëri: gratë marrin lule nga të gjitha anët, urohen, dhe kjo përfaqëson festën e gruas, kaq.
Një here në vit ato marrin lule, ndoshta edhe një dreke dhuruar nga puna, më e shumta.
Të nesërmen gratë rikthehen tek statusi i tyre, duke punuar dyfish në shtëpi e zyrë, të shkelura nga patriarkati.
Për ata që nuk e kanë parë, kur ekspozita u çel fillimisht në COD, me “Man of the castle” Blerta Kambo sjell në vemëndje se si patriarkati dëmton edhe burrat, jo vec gratë.
Në të ka referenca nga filmi Barbie, ku roza është kundër partriarkatit dhe në mbrojtje të djemve e burrave.
Ekspozita do të qëndroje e hapur deri më 25 mars 2024 pranë Tulla Culture Center./m.j