Vizitoni Gjirokastrën, një qytet malor në jug të Shqipërisë, i cili ndërthur historinë dhe natyrën duke magjepsur vizitorët e tij dhe duke ofruar çmime të favorshme, shkruan e përditshmja franceze “Voyages et Tourisme”.
E vendosur një orë me makinë nga Saranda dhe 142 kilometra në jug të Tiranës, Gjirokastra është një vend i bukur për t’u larguar nga rutina.
Kalaja e qytetit, e listuar si një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, qëndron ende në shpatet e Malit të Gjerë.
Hotelet në Gjirokastër janë të bukura dhe të lira
Gjirokastra ofron pamje mahnitëse të rrugëve dredha-dredha të qytetit të vjetër, ballkoneve të kështjellës apo muzeut të vjetër historik.
Hotelet në Gjirokastër janë të bukura dhe të lira. Ato ofrojnë mëngjesin dhe disa gatime të tjera lokale.
“Hotel Kodra”, i cili ndodhet në qytetin e vjetër ofron një pamje të përsosur të perëndimit të diellit në male.
Disa vende emblematike të Gjirokastrës për t’i zbuluar gjatë vizitës
Një nga vendet që duhet vizituar me patjetër në Gjirokastër është kështjella e saj e madhe me pamje nga lugina. Vizitorët mund të zbulojnë disa muzeume dhe një burg të vjetër.
Aty ndodhet edhe Shtëpia e Skëndurit, e fshehur mes shtëpive të vogla të gëlqeruara në qytetin e vjetër.
Të apasionuarit pas ecjes mund të ndjekin një shteg të thyer që bashkohet drejtpërdrejt me luginën nga pazari kryesor i Gjirokastrës dhe më pas me rrugët e pjerrëta të qytetit të vjetër.
Në këtë rrugë, rrënojat e urës së Ali Pashës ofrojnë një mjedis relaksues dhe një vend të mirë për të fotografuar.
Gjatë qëndrimit në Gjirokastër, adhuruesit e historisë mund të vizitojnë edhe Muzeun Etnografik, në lagjen Palorto, që ndodhet në shtëpinë ku ka lindur ish-diktatori, Enver Hoxha.
Për të zbuluarmë mirë qytetin e vjetër, të listuar si një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, vizitorët duhet ta eksplorojnë atë në këmbë.
Përsa i përket motit, Gjirokastra ofron një klimë mesdhetare të karakterizuar nga një verë e nxehtë, me reshje vjetore relativisht të larta. /atsh