Nga Mero Baze
Ka një detaj nga takimi i sotëm në Shkodër i Kryeministrit Rama me bashkiakët e Shqipërisë, që tregon se berishizmi tani është bezdi dhe për berishistët. Në takim morën pjesë të pesë kryetarët e bashkive të opozitës që garuan nën logon Berisha Meta më 14 Maj të vitit të kaluar.
E di që për një vend normal ky nuk është kurrë lajm, pasi një takim i thirrur nga kryeministri nuk ka pse refuzohet.
Por për Berishën kjo ka qenë gjithë jetën një standard për ta refuzuar qeverinë.
Në vitin 2015 u bë lajm se kryebashkiaku i Përmetit, i sapozgjedhur në atë kohë, shkoi në takim me kryeministrin dhe e masakruan, aq sa ai shmangu në të ardhmen shkuarjen në takimet e thirrura nga kryeministri.
Berisha ka qenë ideatorë i krijimit të një shoqate alternative bashkish të opozitës, e cila fal tij ka funksionuar gjithë kohën në Shqipëri, duke pasur dy shoqata, njëra ajo zyrtarja dhe tjetra që drejtohej nga bashkiak të opozitës.
Më 2019, fal bojkotit idiot të opozitës ajo shoqatë humbi funksionin e saj dhe u ribashkua me shoqatën normale.
Pas zgjedhjeve të 14 Majit Berisha ndërmori përsëri iniciativë që të rikrijojë shoqatën me këta pes bashkiakët e vet. Të vendosur në siklet, njëri tha kam babain sëmurë, njëri se kam marrë njoftimin tre të tjerë shkuan dhe bën sikur krijuan përsëri një shoqatë. Por e lanë me aq.
Pas asaj duket që dhe ata nuk kishin më fuqi të vazhdonin marrëzinë e përçarjes së Berishës duke krijuar një çetë me pes vet kundër bashkëpunimit me qeverinë.
Për më tepër të pesë bashkitë që ka fituar Berisha janë bashki të vogla, përveç asaj të Kavajës, të varfra dhe të pashpresa pa ndihmën e qeverisë. Fushe Arrëz, Mirditë Memaliaj dhe Pukë, janë bashki që mbahen vetëm nga ndonjë grant i qeverisë. Kavaja e cila ka më shumë mundësi, është dhe më e falimentuar se këto fal keq menaxhimit të bashkisë.
Kështu që vendimi i tyre për të shkuar në takim me kryeministrin ka më shumë bazë logjike se sa traditë politike. Ata e kanë të detyrueshëm bashkëpunimin me qeverinë, për më tepër me një kryeministër që e ka atraksion shkeljen e kufirit politik.
Por e gjithë kjo është normale dhe nuk do ti vlente të shkruanim për këtë çështje, sikur të mos shënonte fundin e një tradite berishiste në bashkëpunimin mes bashkive dhe qeverisë.
Ai e di si duron aty majë penxheres duke i parët ë zgjedhurit e vet në një tryezë me Edi Ramën. Por e di që nuk ka fuqi ti ndal dhe hesht. Është nga ato rastet kur e kupton që ka më shumë rendësi të duket sikur nuk ka humbur, se sa të ankohet pse po e braktisin.