Në Shqipëri, Avokati i Popullit dhe Kombet e Bashkuara çelën sot një qendër studimore mbi vrasjen e grave, në përpjekje për ta parandaluar këtë dukuri.
Dhuna ndaj grave e vajzave në Shqipëri vijon me ritme shqetësuese, denoncimet e dhunës janë duke u shtuar, ndërsa vrasjet e tyre prej familjarëve dhe partnerëve vazhdojnë me gjithë forcimin e ligjeve.
Përfaqësuesi në Shqipëri i Kombeve të Bashkuara, Mikele Ribotta, nga UN Women, thotë se ashtu si në vende të tjera, edhe në Shqipëri shifrat e grave që vriten nga bashkëshortët dhe partnerët e tyre janë të tmerrshme, dhe kjo është një kambanë alarmi, që tregon se shoqëria është në rrezik, sepse është forma më e skajshme e dhunës ndaj grave dhe humbja e jetës së tyre është shkelja më e rëndë e të drejtave të tyre, sigurisë dhe integritetit të tyre.
“Kur të mbledhim më shumë informacion, pasi të studiojmë në detaje të imta secilën prej burimeve të vrasjeve, si edhe pjesën gjyqësore për secilin rast, profilet e pjesëmarrësve në këto ngjarje, atëherë mund të forcojmë mekanizmat parandalues, duke përfshirë mjekët, shkollat, policinë, prokurorët, pushtetin vendor, që të përdorin një bazë të plotë të dhënash mbi rreziqet e secilit rast”, thotë zoti Ribotta.
Avokatja e Popullit dhe Kombet e Bashkuara kanë ndërtuar një program bashkëpunimi për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave në Shqipëri.
“Bazuar në përfundimet shkencore të studimeve, Observatori për Femicidin pranë Avokatit të Popullit do të rekomandojë politika parandaluese dhe forcimin e mekanizmave ligjorë kundër dhunës me bazë gjinore”, thotë Erinda Ballanca, Avokate e Popullit.
Pjesëmarrësit në tryezën e sotme të OKB-së me Avokatin e Popullit dhe qeverinë e cilësuan si nevojë urgjente krijimin e një koalicioni kombëtar kundër dhunës ndaj grave e vajzave.
Ekspertët dhe autoritetet policore vlerësojnë se një studim i thelluar mbi të dhënat dhe shkaqet pse ndodhin këto vrasje është bërë tashmë një domosdoshmëri dhe përfundimet duhen përdorur në të njëjtën kohë dhe mënyrë për të rritur efektshmërinë e parandalimit të këtyre ngjarjeve të dhunshme.
Krahas 12 vrasjeve të grave vitin e kaluar Ministri i Punëve të Brendshme, Taulant Balla, thotë se vitin e kaluar, janë ndërkohë edhe një mori denoncimesh të tjera për dhunë në familje, të cilat edhe ato janë vetëm një pjesë e vogël e përmasave të vërteta të kësaj dukurie në shoqëri, ndaj duhen përdorur metoda të reja, sepse mbrojtja e grave shqiptare asnjëherë nuk mjafton.
Ai u bëri thirrje grave e vajzave që të besojnë tek policia dhe ta vlerësojnë ditën e denoncimit të dhunës në familje si ditën e lirisë së tyre.
“Vetëm në janar dhe shkurt të këtij viti policia ka regjistruar 629 vajza dhe gra, që kanë denoncuar dhunë. Numri i përgjithshëm i denoncimeve për dhunë brenda familjes është 890. Pra raporti është 3 me 1 i rasteve kundër grave, krahasuar me pjesën tjetër. Një panoramë trishtuese kemi edhe me urdhërat e mbrojtjes. Janë 465 të dëmtuar që kanë marrë urdhra mbrojtjeje, nga të cilat 350 janë vajza dhe gra. Pa dyshim që pjesa më e prekur janë vajza e gratë. Krimet seksuale janë 125 raste, nga të cilat 103 janë kundër grave dhe vajza. Por mos harroni asnjëherë që këto shifra janë vetëm maja e ajsbergut, dhe ka shumë raste të tjera që ende nuk denoncohen”, tha zoti Balla.
Observatori për Femicidin do të mbledhë dhe analizojë të dhënat mbi dhunën me bazë gjinore, format e ndryshme të dhunës ndaj grave e vajzave deri në humbjen e jetës së tyre, në mënyrë që të shmangë sa më shumë këto akte kriminale, duke i njohur ato më në thellësi./VOA