Pa zhurmë dhe larg vëmendjes së mediave, Top Channel ka mësuar se po zhvillohen negociata që “zbusin” zemërimin e Rithemelimit dhe rikthejnë qetësinë në Kuvend.
Thirrjet e ndërkombëtarëve për rikthimin në normalitet mesa duket nuk kanë rënë në vesh të shurdhët. Akujt janë shkrirë mes palëve dhe urat e dialogut janë ngritur tashmë mes kryetarëve të grupeve parlamentare, Bledi Çuçi dhe Gazment Bardhi.
Top Channel ka mësuar se socialistët janë të gatshëm të lëshojnë pe dhe të plotësojnë një pjesë së listës së kërkesave të opozitarëve për hir të normalitetit parlamentar.
Nga 8, shumica parlamentare është e gatshme ti ofroje pakicës ngritjen e 2 komisioneve hetimore, të cilat duhet të kenë dakordësi dhe objekt konkret.
Zhbllokimi i hetimit parlamentar synohet të mos jetë produkti i vetëm i negociatave. Dakortësi po kërkohet edhe për reformën zgjedhore, por zgjidhja e ofruar nga Gazment Bardhi nuk e sheh si bashkëkryetar Enkelejd Alibeajn.
Ndryshe nga sa kërkohet, socialistët nuk kanë në plan te trazojnë më shume ujërat në radhët e opozitës duke i hequr të mandatuarit te Bashës karrigen e drejtimit ne reformën elektorale, por nuk kanë ne plan as të tolerojnë zvarritje.
Komisionit nuk do i zgjatet më afati dhe puna për reformën elektorale pritet të zhvendoset në organe të tjera të Kuvendit ku pesha negociuese e Enkelejd Alibeaj humbet bashkë me veton.
Një marrëveshje e mundshme mes PS dhe Gazment Bardhi duket se nuk ka lënë indiferent PD zyrtare, e cila mesa duket ndihet e rrezikuar për pozicionin dhe peshën e saj negociuese me mazhorancën.
Pas sinjaleve që mori në Kuvend, Enkelejd Alibeaj nxitoi të shfaqej nga selia me qira duke rishprehur gatishmërinë për të bashkuar kartonët me socialistët për amnistinë penale./tch