Gjatë seancës së sotme parlamentare, mazhoranca ka kaluar e vetme ligjet, siç ka ndodhur edhe në seancat e kaluara.
Ndër ligjet që kanë kaluar është dhe “Ligji për investimet strategjike”.
Me votat e PS është miratuar edhe projektligji për ‘Burimet Ujore’ dhe ai për “Turizmin”.
Gazment Bardhi në një deklaratë për mediet, jashtë ambienteve të Kuvendit, tha se asnjë ligj i kaluar në seancë nuk mund të konsiderohet i miratuar ligjërisht.
Gazment Bardhi: Dua të ripërsëris që për opozitën është shumë e rëndësishme që parlamenti t’i kthehet normalitetit. Sot asnjë nga aktet ligjore që kaloi në seancë nuk mund të konsiderohet i miratuar ligjërisht. Sipas rregullores së Kuvendit, thuhet shprehimisht që për efekt të kuorumit llogariten vetëm deputetët që marrin pjesë në votim. Në votim morën pjesë 68 deputetë, që të hapet procesi i votimit, duhet të marrin pjesë 71 deputetë. Imagjinoni çfarë i bëjnë parave të buxhetit të shtetit në fshehtësi kur falsifikojnë apo dhunojnë në mënyrë kaq brutale rregulloren e parlamentit në sytë e kamerave dhe opinionit publik.
Gazment Bardhi u pyet edhe për ndryshimet në Statutin e Rithemelimit. Me ndryshinmet e Statutit, Bardhi dhe Agron Gjekmarkaj morën detyrën e nënkryetarit të partisë. Ai tha se PD është e bashkuar dhe po bëhet gati për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Bardhi: PD është e bashkuar, tani kemi nëj detyrë dhe përgjegjësi më të rëndësishme. Ta forcojmë partinë, ta bëjmë gati për zgjedhje dhe ta bëjmë fituese.
/a.r